Si e zbuloi Asanin, goli më i bukur i eliminatoreve, grupi për finalet dhe… Broja. Mos e humbisni rrëfimin në 360 gradë të Sylvinho

22 Nëntor 2023
11:46
Alfred Lleshi
back button

Me barazimin zhgënjyes pa gola ndaj Ishujve Faroe, por me lumturinë e madhe të kualifikimit në finalet e “Euro 2024”, si të parët në grup, kombëtarja shqiptare mbylli një fushatë eliminatoresh për t’u mbajtur mend. Meritë kjo e strategut Sylvinho dhe stafit të tij që bashkoi një grup lotarësh të “shuar” në kohën e Edy Reja, si dhe afroi dy lojtarë mjaft cilësorë, që e shpërblyen në ndeshjet e grupeve, si Jasir Asani e Mario Mitaj.

Trajneri brazilian i kuqezinjve ishte i ftuar në emisionin “Opinion” të Blendi Fevizut, në TV Klan, ku ka bërë një rrëfim të gjatë për atë që ndodhi dhe pritet në muajt në vazhdim, deri në finalet e “Gjermania 2024”, të cilat nisin qershorin e vitit të ardhshëm.

Ju keni thënë se asnjë futbollist nuk fiton dot i vetëm, por në grup…
Dhe lojtarët e kuptuan këtë gjë. Është një gjë shumë e bukur, sepse futbollistët e përqafuan këtë filozofi. Futbollisti i vetëm nuk e fiton garën, por fitohet në grup. Ata e kuptuan që ne kemi një skuadër.

Lojtarët janë të nivelit të lartë, por ju keni zbuluar edhe Jasir Asanin, që ishte gjëja më interesante. Si e zbuluat?
Duke punuar. Gjëja e parë kur pranuam të vijmë në Shqipëri me stafin tim ishte të jetuarit në Tiranë, sepse këtu zhvillohet puna. Ka qenë një gjë e jashtëzakonshme për jetën time. Federata na jep mundësinë për të punuar, ne punojmë 6-7 orë në ditë me videoanalizë. Nuk kisha një lojtar si ai, kam parë që ka bërë një rrugëtim te Partizani. E pashë që ishte lojtar shumë interesant. Në Hungari kishte bërë një rrugëtim, më pas në Kore. Mendova, ky është një lojtar që na duhet. Pastaj e morën dhe ai u përgjigj pozitivisht.

Ai ka thënë se ishte dita më e lumtur e jetës së tij…
Lëre këtë se ka një histori tjetër mbrapa. Unë thashë do ta thërras atë.

Ai ishte surprizë për ju Asani?
Jo.

Gjimshiti do të jetë në Europian?
Po.

Cili ishte goli më i bukur, që e keni vlerësuar?
Shumë e vështirë. Të gjithë, të gjithë golat janë të rëndësishëm. Cikalleshi nga penalltia, diçka e thjeshtë, por na dha mundësinë e pikës që na duhej për t’u kualifikuar. Edhe mund të humbisnim në Moldavi.

Cili ishte momenti me delikat i këtyre eliminatoreve?
Ishte ndeshje shumë e vështirë me Republikën Çeke në transfertë, sepse ata janë të fortë si skuadër, si taktikë individuale, forcë fizike, lojtarë të fortë. Ato bënë një gol dhe pastaj barazimi me ta ishte shumë i vështirë.

Për herë të parë shikoj një Shqipëri që i bënte spektakël Republikës Çeke, Polonisë dhe që shënon me goditje nga distanca, çka nuk ndodhte ndonjëherë. Çfarë ndodhi?
Është besimi i lojtarëve, sepse cilësia e tyre është aty. Ne duhet t’iu japim besim atyre dhe të ecim përpara.

Kur realisht menduat që u kualifikuam?
Kur fituam me Republikën Çeke në Shqipëri, aty në nivel pikësh ishim shumë afër.

Në këtë grup që ke në dispozicion, a do të afrosh edhe lojtarë të tjerë që nuk kanë luajtur?
Ndoshta, sepse kombëtarja kështu është. Dera e saj është e hapur. Duhet të punojmë. Ne jemi pak entuziastë tani, por do shohim shortin. Është e bukur, është hera e parë për mua një Europian.

Ju s’besoj se duhet të keni frikë nga Italia…
Janë të gjithë rivalët të vështirë në finalet e Europianit. Unë kam nderin që po shkoj atje.

Cilat janë skuadrat, me të cilat nuk do doje të përballeshe?
Portugalia po luan shkëlqyeshëm, edhe Spanja… Janë të gjithë të fortë.

Ju mendoni që ne e kemi bërë detyrën?
Jo, duhet të përmirësohemi, por gjithmonë me këmbë në tokë. Duhet të fillojmë të bëjmë një rrugëtim, të mësohemi të luajmë në Europian, Botëror, të ecim ngadalë-ngadalë.

Më 2004, Greqia, një skuadër modeste, u bë kampione e Europës. Ishte surprizë? A mund të ëndërrojnë shqiptarët një histori të tillë?
Në këtë moment, për mua sot është një ëndërr. Një ndeshje para mbylljes së grupit ne ishim të kualifikuar. Duhet të mendojmë të përmirësohemi, të bëjmë një figurë të mirë dhe mund t’ia arrijmë. Kemi lojtarë të fortë që luajnë në kampionate të rëndësishme.

Vuajtëm shumë ndaj Ishujve Faroe…
Ne kishim konsumuar shumë energji me Moldavinë dhe kur menduam se fituam, nuk ishte e thjeshtë. Festuam shumë. Koka e futbollistit…, jemi qenie njerëzore. Ju e keni parë festën që u organizua.

Mungonte një gol…
Nuk mungonte asgjë. Për ta mbyllur mund ta kishim bërë, por nuk është e thjeshtë të menaxhosh kokën e futbollistit. Ne ishim aty në “count down”… Mos të harrojmë se kjo është hera e dytë që shkojmë në Europian. Unë kam fjetur 2-3 orë. Kemi bërë një garë të fortë, por kemi dhënë shumë.

Formacionin e ndryshuat në ndeshjen me Ishujt Faroe. A e bëtë për t’iu dhënë mundësi lojtarëve të rinj?
Ne kemi ndeshje miqësore në mars, para se të shkojmë në Europian. Për një kombëtare nuk ka kohë. Çdo 15 minuta për lojtar vlen një jetë.

Ky do të jetë grupi që do të merrni me vete në Europian?
Grupi është ky, 80 apo 90 për qind… Ka edhe disa muaj, duhet të presim.

Po Armando Broja, a do të jetë pjesë e skuadrës?
Broja dhe shumë të tjerë, kombëtarja është e hapur për to. Është lojtar i veçantë, ka pësuar dëmtim të rëndë. Ai duhet të ketë 2-3 muaj të qetë që të rifutet në lojë.

A keni folur me të, a është gati për t’ju bashkuar skuadrës?
Sigurisht, jam shumë i sigurtë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit