Si kurrë më parë në ring, Tyson Fury befason me transformimin e tij para duelit me Usyk

20 Mars 2024
11:39
Telesport
back button

Ndërsa të gjithë presin me padurim 18 majin për duelin e unifikimit të titujve kampionë bote në peshën e rëndë mes Tyson Fury e Oleksandr Usyk, britaniku ka befasuar të gjithë fansat e tij. Transformimi i trupit të boksierit të pamposhtur Tyson Fury ka qenë një surprizë.

“Gypsy King” nuk ka qenë kurrë kaq i dobët dhe atletik në karrierën e tij, ndërkohë që është vetëm 2 muaj larg përballjes me ukrainasin. Ndjekësit e boksit besojnë se Fury po e merr shumë më seriozisht sfidën me Usyk, pas paraqitjes aspak bindëse në tetor ndaj Francis Ngannou (fitoi me vendim shumice).

Partneri i tij për një kohë të gjatë, Martin Bakole, pohoi se Fury nuk ishte përgatitur siç duhet për luftën e tij me Ngannou, duke thënë: “Tyson nuk ishte 10% i fokusuar në palestër“. Edhe vetë Usyk sugjeroi se Fury nuk e mori seriozisht luftën, duke thënë: “Po luante rreth e rrotull duke u përpjekur të më mashtronte”.

Megjithatë, Fury duket se ka rritur intensitetin e stërvitjes së tij dhe ka postuar një video, duke premtuar se do të mundte kundërshtarin e tij të pamposhtur. Kohë më parë, vetë britaniku pat thënë: “Do të doja të kisha një trup të mire, por nuk kam asnjë shpresë për të pasur një trup të mirë. Jam i shëndoshë”.

Fotot e britanikut me fizikun e tij muskuloz kanë mahnitur fansat, të befasuar nga transformimi i tij dhe këtë gjë e kanë shprehur në komentet e tyre. Duket se Fury kërkon të dominojë në ring, në një duel që pritet të gjenerojë 100 milionë euro fitim. Sfida do të zhvillohet në Riad të Arabisë Saudite.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit