Simeone pranon realitetin: Barça ishte superiore, ne të lodhur nga 120 minuta lojë në Champions

18 Mars 2024
8:33
Alfred Lleshi
back button

Diego Pablo Simeone ishte logjikisht i zhgënjyer në fund të ndeshjes Atlético-Barça 0-3, e luajtur mbrëmë në “Cívitas Metropolitano”. Katalanasit fituan një duel të rëndësishëm në garën për vendin e dytë, por ndoshta edhe më shumë. Trajneri argjentinas foli në mikrofonat e ‘DAZN’, ku nënvizoi mes të tjerash:

“Barça ishte superiore, ishte e fortë kur bëhej fjalë për të përfituar nga mundësitë. Sa na përket ne, kishim raste të rëndësishme për shënim. Nuk kishte ndodhur shumë në mbrojtjen tonë, ndaj goli i dytë na nxori direkt nga loja”.

Simeone theksoi se të tijtë kishin vuajtur nga konsumimi i tepërt fizik në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Interit: “Ne vinim nga një përpjekje e madhe, nuk kam asgjë për t’u ankuar nga lojtarët e mi. Duhet të vazhdojmë të shtyjmë për vendin e katërt, i cili nuk do të jetë i lehtë për t’u arritur”.

Pavarësisht gjithçkaje, trajneri “colchonero” ishte i qartë: “Nuk duhet të kërkojmë justifikime, realiteti është ai që është. Kishim 120 minuta të bukura, dhamë gjithçka ndaj Interit, por sonte, goli i dytë na mori energjinë që kishim për të vazhduar shtytjen. Katalanasit ishin të fortë dhe ne duhet t’i përgëzojmë”.

Simeone përfundoi: “Ne nuk po mendojmë për një gjysmëfinale (në Champions League) kundër Barçës. Tani duhet të rikuperojmë energjitë dhe të përgatitemi për ndeshjen kundër Villarrealit”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit