Sërish telashe për mbrojtësin anglez Luke Shaw, që ka luajtur për herë të fundit në finalen e Euro 2024 ndaj Spanjës, në korrik. Më pas, asgjë. Teksa pritej që 29-vjeçari anglez të rikthehej gjatë nëntorit në fushë, duket se ai është goditur nga një tjetër dëmtim.
Ky është i dyti për mbrojtësin e Manchester United gjatë këtij sezoni, pas atij që pësoi pak ditë para se të niste kampionati i ri i Premier League. “Djajtë e kuq” nuk e kanë patur kurrë në dispozicion deri më tani këtë sezon dhe duekt se situata do të vijojë kështu.
Sky Sports pohon se pas humbjes kundër West Ham, të dielën e kaluar, është zbuluar një pengesë tjetër në rrugën drejt rikuperimit të Luke Shaw. “Procesi nuk po shkon siç prisnim”, thuhet në një komunikatë të klubit, që duket i shqetësuar se përse proçesi nuk ka shkuar si duhet.
“Ne duam të jemi shumë të kujdesshëm. Ne dimë për të kaluarën e tij dhe duhet t’i bëjmë gjërat siç duhet sepse duam që ai të jetë i disponueshëm. Prania e tij ka një ndikim të madh në performancën e ekipit. Ne nuk mund ta lejojmë atë të luajë për disa ndeshje dhe pastaj të ndalojë përsëri. Pra, le të vazhdojmë me shumë kujdes”, tha klubi anglez.