Skandali! 4 lojtarë të Velez në burg për dhunë seksuale në grup, klubi u prish kontratat

19 Mars 2024
12:58
Telesport
back button

Katër lojtarë në pranga të akuzuar për përdhunim në grup. Lajmi që trondit futbollin argjentinas vjen pas ankesës së paraqitur më 3 marsin e kaluar nga një gazetare 24-vjeçare ndaj katër sportistëve të Velez Sarsfield, të cilët dyshohet se kanë kryer krimin në hotelin ku skuadra po qëndronte e grumbulluar për t’u përgatitur për ndeshjen e kampionatit kundër Atletico Tucuman (më 2 mars).

Të akuzuarit, të cilët janë mbajtur pas hekurave për 48 orët në vijim, janë uruguajani Sebastian Sosa, paraguajani José Florentin dhe argjentinasit Braian Cufré dhe Abel Osorio. Aja janë mbajtur në burgun Tucuman në përfundim të marrjes në pyetje të mbajtur pasditen e së hënës.

Përmes një shkrese zyrtare të lëshuar sot, Velez bëri të ditur se u ka zgjidhur kontratat të gjithë sportistëve të akuzuar dhe se ka nisur një hetim të brendshëm për zbardhjen e ngjarjes. Të katërt lojtarët e Velez akuzohen se kanë joshur viktimën e dyshuar në hotel dhe e kanë droguar para se të ushtrojnë dhunë seksuale.

Vajza raportoi se shkoi në dhomën 407 të hotelit Hilton për të takuar 37-vjeçarin Sebastian Sosa, me të cilin kishte kontaktuar përmes mesazheve. Sapo arriti në dhomë, gjeti edhe tre kolegët e portierit uruguaian, i cili, pasi i ofroi një pije, e përdhunoi duke përfituar nga situata që e la në një gjendje gjysmë të vetëdijshme gazetaren.

Prokurori i Tucuman ka vendosur masën e sigurimit për të katërt lojtarët në bazë të elementeve fillestare të mbledhura dhe dëshmive të dhëna nga viktima, disa zyrtarë të hotelit dhe vetë lojtarët, të cilët janë paraqitur dje në Prokurori. “Për lojtarët e akuzuar është urdhëruar sekuestrimi i celularëve dhe testi i ADN-së, i cili do të kryhet në orët e ardhshme”, tha avokati i vajzës.

Velez mori një pozicion të menjëhershëm, ku njoftonte “pezullimin e kontratave të punës të të gjithë sportistëve të përfshirë në këtë aferë. Në të njëjtën kohë, – vijon deklarata e klubit, – ka nisur një hetim i brendshëm për të përcaktuar masat përfundimtare. Klubi siguron se është në dispozicion të drejtësisë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit