Nuk është mister që Juventusi tashmë po projekton merkaton e janarit. Dëmtimet dhe mungesat afatgjata të Bremer e Cabal kanë shkaktuar një reaksion zinxhir kërkimi në treg të paktën të një zëvendësuesi, për të mbuluar boshllëkun e krijuar në mbrojtje.
Lajmi është se një njohje e vjetër e Serie A, ish-mbrojtës i Interit, mund t’ju vijë në ndihmë bardhezinjve. Fjala është për Milan Skriniar, sllovakun që përfundoi në periferi të projektit të PSG-së, i cili, – sipas “Gazzetta dello Sport”, tashmë ka dhënë miratimin e tij për një transferim të mundshëm te Juventusi në janar.
Ish-lojtari i Sampdorias tërhiqet nga ideja për të luajtur në Torino, hapja e tij karshi një lëvizje të tillë shkon në favor të Juventusit në fazën e negociatave. Megjithatë, klubi bardhezi synon vetëm huazim të sllovakut, ndaj këtu do të duhet disponueshmëria e parizienëve.
Do të duhet një punë e rëndësishme diplomatike mes palëve, të cilat janë në marrëdhënie të shkëlqyera, por pengesë mbetet rroga e lartë e Skriniar, e barabartë me 10 milionë euro, pa bonuse.