Liverpool e ka nisur mbarë këtë edicion të Champions League, me dy fitore në dy sfidat e para. Skuadra e “reds” fitoi 2-0 ndaj Bologna në “Anfield”, sukses që kënaq trajnerin Arne Slot, që po paraqitet mirë edhe në kampionat.
Ai është bërë trajneri i parë në historinë e Liverpool që fiton tetë nga nëntë ndeshjet e tij të para sezonale që në debutim. “Jam i kënaqur dhe i lumtur. Këtu kanë punuar shumë trajnerë të jashtëzakonshëm, duke bërë kaq shumë gjëra të veçanta”.
“Nuk e di kurrë se sapër sa kohë do të jem këtu, por shpresoj të bëj gjëra më të veçanta se sa të fitoj tetë nga nëntë ndeshjet e para sezonale. Ne kemi mundësi për më shumë dhe kjo më kënaq, pasi sezoni është i gjatë”, tha Slot.
Më tej, trajneri holandez shtoi: “Ndaj Bologna vuajtëm shumë dhe patëm fat që nuk pësuam gol, kur ata goditën dy herë shtyllën. Kishim nevojë edhe për portierin tonë në disa raste, që ishte i jashtëzakonshëm”.
“Në përgjithësi, kjo fitore ndaj Bologna është një rezultat i mirë, por nuk do ta përdorja fjalën e kënaqur. Morëm tri pikët dhe vijojmë rrugëtimin, por nëse duam të jemi më të suksesshëm përgjatë gjithë sezonit duhet të jemi më konkretë”, tha Slot.