Me dy gola dhe një asist të realizuara në barazimin 3-3 ndaj Newcastle, sulmuesi egjiptian Mohamed Salah konfirmoi edhe një herë se është i rëndësishëm për Liverpool. “Reds” dolën nga kjo sfidë me vetëm një pikë, duke qëndruar 7 pikë para rivalëve në renditjen e Premier League.
Trajneri i Liverpool, Arne Slot, e vlerësoi shumë paraqitjen e Salah, në një kohë që e ardhmja e 32-vjeçarit në “Anfield” mbetet dilemë. Kontrata e tij me Liverpool skadon në fund të këtij sezoni.
“Është e vështirë për mua të parashikoj të ardhmen afatgjatë. Ajo që mund të them është se Salah është në një ekip shumë të mirë për momentin. Ai luan në një ekip që i ofron mundësi të mira dhe më pas është në gjendje të bëjë gjëra të veçanta”, tha Slot.
“Ajo që e bën atë edhe më të veçantë është se arrin të shpërthejë atëherë kur nuk e pret, pas një orë lojë. Më pas, ai realizoi dy gola, goditi shtyllën, duke qenë një kërcënim i vazhdueshëm. Kjo është diçka që jo të gjithë mund ta bëjnë”, shtoi Slot.
Në fund, trajneri holandes komentoi: “Nëse shikoni vetëm golat, përfundimi i tij i aksionit është kaq i pastër dhe i saktë. Ai është një lojtar i veçantë, por kjo është ajo që ne të gjithë e dimë”.