Solskjaer “bën dalje” Pogba, piketon tri blerje me paratë e francezit

11 Dhjetor 2019
14:04
Alfred Lleshi
back button

Manchester United nuk është i sigurt se çfarë të bëjë me Paul Pogba. Ai ka një vit e gjysmë të mbetur në kontratë, me opsionin për t’u zgjatur automatikisht deri në vitin 2022 nga klubi. Sidoqoftë, pasi refuzoi rinovimin gjatë verës, francezi dhe drejtuesit e “Djajve të Kuq” nuk kanë pasur më kontakte e diskutime për këtë çështje. Kampioni i botës duket i vendosur të shkojë për të luajtur në Spanjë, teksa Real Madridi vazhdon të jetë destinacioni i mundshëm. 

Në publik, Ole Gunnar Solskjaer nuk e pohon, por sipas “Daily Mail”, ai i ka sugjeruar klubit shitjen e francezit. Me paratë e disbursuara mund të blihen dy mesfushorë dhe një sulmues në dy merkatot e ardhshme. Trajneri norvegjez i ka evidentuar pozicionet në skuadër, që mund të forcohen përmes një operacioni të tillë. Po ashtu, ka pikasur edhe emrat konkretë. Saúl Ñíguez (Atlético Madrid) dhe Donny van de Beek (Ajax) janë objektivat kryesorë për mesfushën. Sa i përket pozicionit të sulmuesit, Erling Haaland (RB Salzburg) është i preferuari. Solskjaer e njeh tashmë sulmuesin norvegjez që nga Molde.

Ndërkohë, Paul Pogba është gati të kthehet nga një dëmtim në kyçin e këmbës, që e ka mbajtur atë jashtë fushave për dy muaj e gjysmë. Kjo ndodh tani, kur skuadra ka gjetur stabilitet me Fred dhe Scott McTominay si duet i mesfushës, kështu që francezi duhet ta pyesë mirë veten nëse do të imponohet dot apo jo në formacionin e “Djajve të Kuq”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit