Sot finalja e Europa League, Gasperini: Këtë finale duam ta fitojmë, e gjithë Italia bën tifo për ne

22 Maj 2024
10:31
Telesport
back button

Pasi humbi finalen e Kupës së Italisë një javë më parë, ekipi i Atalanta përgatitet sot për një tjetër finale, atë të Europa League. Në Dublin, ekipi italian ka një mision të vështirë, të mposhtë Bayer Leverkusen, që këtë sezon s’ka asnjë humbje (50 rezultate pozitive radhazi).

Trajneri i Atalanta, Gian Piero Gasperini, është gati të përballet me finalen e parë europiane në historinë e Atalanta: “Ne mund të jemi vetëm të lumtur me udhëtimin dhe shpresojmë për të përfunduar në mënyrën më të mirë. Kemi ndjenjën se në Itali do të brohorasin për ne, dhe ky është një motivim shtesë”.

Finalja nuk duket se krijon shumë presion tek Atalanta. “Kemi luajtur shumë ndeshje të rëndësishme në Europë. Disa nuk kanë shkuar mirë, por në shumë të tjera kanë ne kemi një histori të mirë. Jemi mësuar me të, edhe nëse shpeshherë kur nuk vjen trofeu, themi se nuk kemi përvojë”, tha Gasperini.

Përballë, një skuadër që nuk ka humbur asnjëherë në sezon: “Janë një ekip i fortë, i aftë për të ndryshuar shumë. Ne do të përpiqemi të marrim masat më të mira, por edhe ne kemi aftësinë të qëndrojmë në terren dhe të propozojmë zgjidhje mbi bazën e të cilave mendojmë se mund t’u krijojmë probleme”.

Gasperini flet edhe për fansat: “Edhe prej tyre kërkuam një sakrificë të madhe në të gjitha aspektet. Ata kanë udhëtuar dhe do të jenë në Dublin për të na mbështetur, ndaj duam t’u dhurojmë diçka këtë sezon”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit