Sot në mbrëmje, në Dublin, do të luhet finalja e Europa League mes Bayer Leverkusen dhe Atalanta. Ekipi gjerman, i pamposhtur këtë sezon, konsiderohet favorit, por trajneri Xabi Alonso kërkon përqendrim, pasi bëhet fjalë për një ndeshje teke, ku gjithçka mund të ndodhë.
“Rekordi i një sezoni të tërë si pamposhtur është një kënaqësi për gjithçka që kemi bërë. Gjithsesi, fokusi ynë është tek e sotmja, me një mjedis dhe kundërshtar ndryshe. Atalanta është një ekip shumë kërkues, që luan mirë në sulm dhe mbrojtje, me dhe pa top”, tha trajneri Xabi Alonso.
“Finalja është një ndeshje e vetme. Ne do të luajmë futbollin tonë dhe kemi një mundësi të madhe për të shfrytëzuar, duke konkurruar në nivelin më të lartë. Ne e dimë se Atalanta ka pasur një ide shumë të mirëpërcaktuar të lojës në vitet e fundit”, tha më tej trajneri spanjoll.
“Lojtarët e dinë se çfarë duan të bëjnë në fushë, por loja vazhdon të evoluojë. Sot na duhet një paraqitje e bashkuar, një mentalitet i fortë skuadre. Ne kemi një plan, por lojtarët ende përjetojnë atmosferën e festës në Leverkusen. Unë nuk mendoj se ka skuadra të dobëta në një finale”, tha Xabi Alonso.
Pas 50 ndeshjeve pa humbje, Alonso shton: “Ne kemi besimin që na bën të ecim gjithmonë përpara. Ne e dimë se mund të krijojmë raste edhe në minutën e fundit, kjo është thelbësore për mentalitetin tonë fitues, të cilin e kemi krijuar këtë sezon. Ne besuam në mënyrën se si donim të luanim dhe kjo na ndihmon të fitojmë”.