Rrugëtimi i Italisë në “Euro 2024” pati një fund të trishtuar në 1/8 finale, eliminuar nga Zvicra, e cila dominoi dhe i mundi axurrët 2-0 në “Olympiastadion” të Berlinit. Trajneri Luciano Spalletti doli mjaft i mërzitur në konferencën për shtyp, pas ndeshjes:
“Ne ishim nën nivel për sa i përket ritmit, si në rang ekipi, ashtu edhe në aspektin individual. Dhe nëse ky është ritmi, bëhet gjithashtu e vështirë të flitet për ndonjë gjë tjetër. Pas ndeshjes së mëparshme fajësova veten që nuk kisha ndryshuar formacionin, nuk e kisha ndihmuar dikë të shërohej. Sonte ndryshova shumë, por përgjigja ishte e njëjtë.
Ai gol në fillimin e pjesës së dytë na i preu pak këmbët. Ne u zhvendosëm në gjysmën e tyre të fushës, por nuk ishim shumë efikas dhe të qetë. Na mungonte ritmi, për fat të keq nuk mund të bëjmë më shumë se kaq. Për fat të keq, edhe për shkak të mënyrës se si përfundoi kampionati, nuk arritëm në kushtet më të mira në këtë Europian. Pastaj, në këto temperatura bëhet më e vështirë.
Ky eliminim na jep disa indikacione, sepse diçka duhet të ndryshojë patjetër. Ishte një përvojë ku mund të bëhej më shumë, por kur gjen skuadra që driblojnë mirë, duhet të bësh po aq mirë. Mungesa e shpejtësisë? Nuk kemi shumë lojtarë që kanë këtë cilësi vrapimi, ndryshimi është te freskia fizike, kur e fiton topin mbrapsht.
Ekziston mundësia për të ndërtuar diçka, por kërkon pak më shumë kohë. Nuk kisha shumë kohë në dispozicion për këtë Europian. Po të shohim paraardhësit e mi, pothuajse të gjithë kishin më shumë ndeshje se unë.
Disa ndeshje të tjera mund të më kishin ndihmuar. Për sa i përket përgjegjësisë, që i takon gjithmonë trajnerit, unë i kam bërë zgjedhjet. Gravina? Ai është sjellë gjithmonë si një profesionist serioz me mua, do të shohim se çfarë do të thotë”.