Luciano Spalletti rikthehet te largimi i dhimbshëm nga kombëtarja italiane, i ndodhur në mënyrë të papritur në fillim të kësaj vere, pas humbjes kundër Norvegjisë. Këto janë fjalët e tij për Gianluigi Buffon: “Gigi është një personalitet shumë i madh.
Një njeri i madh, një mik i madh, një drejtues i madh, një ish-futbollist i madh. Një person me ‘shtyllë kurrizore’, që ka pasur inteligjencën të kalojë vështirësitë, të flasë hapur për dobësitë e veta, që ka bërë llogaritë me gabimet e tij. Është vërtet një gjigant”.
A është e mundur të përcillen këto vlera në dhomat e zhveshjes?
Është e vështirë t’ua heqësh futbollistëve ‘mërzinë’ që vjen nga mirëqenia. Futbolli gjeneron mendjemadhësi, edhe tek ata më të pjekurit.
A është e vërtetë që bashkëshorten tuaj, Tamara, e keni njohur kur luanit te Spezia dhe ajo ju trokiti në derë për t’ju shitur një abonim të gazetës “L’Unità”?
Po, ishte një grua aktive. Ne e kalonim kohën duke ushqyer politikën, idealet e thella. Merrnim pjesë bashkë në festat e fshatit, ishim punëtorë dhe të përfshirë. Ndihmonim njëri-tjetrin edhe fizikisht, me duar.
Identiteti juaj i majtë nuk ka qenë kurrë sekret. Prandaj, shumë u habitën kur ju panë në Atreju, festën e “Fratelli d’Italia”, një vit e gjysmë më parë…
Për mua është krejtësisht e drejtë të shkosh e të thuash atë që ke për të thënë edhe në mjedise që mund të jenë armiqësore.
Në librin tuaj “Parajsa ekziston… por sa shumë lodhje”, ju thoni një fjali të fortë: “Nuk di si të sillem me lumturinë”…
Nuk di si të sillem me lumturinë personale. Ajo lidhet gjithmonë me lumturinë e njerëzve që do, të familjes tënde. Kur isha fëmijë, gjëja që më bënte më të lumtur ishte të shihja mamanë dhe babain që përqafoheshin.







