Spanja përmbys rrufeshëm Francën dhe shkon në finalen e madhe të Berlinit

9 Korrik 2024
22:58
Alfred Lleshi
back button

Spanja e është finalistja e parë e “Euro 2024”. Edhe pse u gjend shpejt në disavantazh, kombëtarja iberike gjeti forca të përmbyste gjithçka në mënyrë të rrufeshme. Gjithçka, sa iu takon golave të kësaj gjysmëfinaleje, ndodhi në harkun kohor të 14 minutave.

Fillimisht shënoi Kolo Muani në minutën e 9-të, pas krosimit të përpiktë të Mbappe. Më pas erdhi reagimi i furishëm iberik, që barazoi me Yamal në minutën e 21-të, një eurogol me goditje nga distanca, për të përmbysur gjithçka në minutën e 25-të me Dani Olmo. Ky i fundit u ndihmua me devijimin e topit në portën e vet edhe nga Kounde.

Pjesa e parë, pra, i pati të gjitha, prodhoi emocione të forta, ritëm të lartë dhe tre gola. Pjesa e dytë ishte disi më ndryshe, me Spanjën që thelloi epërsinë e zotërimit dhe qarkullimit të topit, ndërsa transalpinët nuk ia dolën të gjenin hapësira në prapavijën kundërshtare.

Mund të jetë një imazh i 3 persona, persona që luajnë futboll, njerëz që luajnë futboll dhe teksti

Megjithatë, raste të për të barazuar patën, sidomos me Mbappe në dhjetë minutat e fundit të kohës së rregullt, por pa shënjestrën e duhur. Zëvendësimet e kryera nga të dy trajnerët nuk është se ndryshuan shumë në rrjedhën e lojës, por i freskuan fizikisht të dyja skuadrat, që shpenzuan vërtet shumë.

Eliminim i hidhur për Francën, që gjithsesi, në këtë gjysmëfinale e gjeti të parin gol nga loja në këtë Europian, pas atij me penallti nga Mbappe në fazën e grupeve.

Falë autogolave dhe penalltive erdhi deri këtu, por ndeshi në kombëtaren eksperte iberike, e cila fitoi 2-1 dhe shkon në finale, pas ecurisë mbresëlënëse deri tani në “Euro 2024”.

Spanja është tashmë në pritje të kundërshtarit të Berlinit, më 15 korrik, që do të dalë nga gjysmëfinalja e mbrëmjes së nesërme mes Anglisë dhe Holandës.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit