Start me disfatë në Champions, flet Flick: Monaco e meritoi fitoren, nuk ka vend për alarm

20 Shtator 2024
8:33
Alfred Lleshi
back button

Hansi Flick pranon se Monaco e meritoi fitoren në ndeshjen e mbrëmshme kundër Barcelonës, në sfidën inauguruese të të dyja skuadrave në Champions League, edicioni i ri. Trajneri gjerman pranoi se përjashtimi me të kuqe i lojtarit të tij që në minutën e 11-të e ka ndryshuar totalisht ndeshjen, por tani duhet të kthejë faqen dhe të mendojë për të dielën:

“Loja ka ndryshuar plotësisht me daljen e E.Garcia me karton të kuq që në minutën e 11-të. Ne u përpoqëm, u mbrojtëm me pasion. Bëmë disa gabime, por u përpoqëm të shënonim gola. Kishim disa raste, por ata e meritonin të fitonin.

Ne kemi humbur, në rregull, por tani duhet të kthehemi më të fortë, të rikuperojmë. Kemi ndeshje të dielën, duhet të japim maksimumin, të luftojmë për ekipin. Ne e humbëm këtë ndeshje por do të vazhdojmë të luftojmë”.

Një vlerësim për Monaco: “Ka bërë një paraqitje shumë të mirë ndaj nesh, por kjo është normale. Ka lojtarë shumë të shpejtë, ne jemi përpjekur të mbrohemi”.

Riorganizimi i ekipit: “Zëvendësimet nuk kanë ardhur me vonesë, jemi mbrojtur me shumë pasion dhe kemi pasur mundësi shënimi. Jemi përpjekur të jemi kompakt në mbrojtje, të gjithë së bashku. Loja ka ndryshuar me përjashtimin e Garcia, por shoh gjëra pozitive. Kemi sulmuar dhe jemi mbrojtur si ekip.

Nuk jam i shqetësuar, më duhet ta analizoj ndeshjen, kjo është puna ime si trajner. I kam parë lojtarët të pikëlluar në dhomat e zhveshjes, por tani duhet të ringrihemi shpejt. Do ta analizojmë lojën, do të flasim me lojtarët që t’i korrigjojmë gjërat që nuk shkuan mirë. Ishte vetëm një goditje, mendoj se gjithçka është në rregull”.

Humbja e parë djeg: “Ne morëm një karton të kuq në 10 minutat e para dhe kjo ka ndryshuar gjithçka. Këto janë gjëra që ndodhin, duhet ta pranojmë, por mendoj se jemi të fortë për të luajtur në Champions League. Kanë mbetur edhe 7 ndeshje në grup, do t’i fitojmë shumë prej tyre dhe do t’i arrijmë objektivat tona”.

Mbi rolin e Ansu Fati: “E kam thënë disa herë se ai mund të bëjë disa role. Kam folur me të dhe preferon të luajë si anësor i majtë. Jam dakord, por ai mund të luajë edhe si qendërsulmues, është shumë i mirë me topin. Unë kam parë një Fati shumë të ndryshëm nga ai që ishte te Brighton. Mendoj se ka nevojë për më shumë kohë”.

Ecuria e lojës: “Kemi luajtur me 10 lojtarë për 80 minuta, nuk ia vlen të flasim se çfarë do të kishte ndodhur nëse do të kishim pasur 11 forca në fushë. Tani duhet të mendojmë për Villarrealin.

Kur pëson humbjen e parë në sezon, mund të thuash se nuk ishte ndeshja më e mirë. Sidoqoftë, performanca, përtej rezultatit, nuk duhet kritikuar. Mendoj se fillimi i sezonit ishte i mirë për ne, ndërsa kjo ndeshje jo saktësisht ajo që donim”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit