Përjashtimi i Raheem Sterling nga skuadra e Chelsea për ndeshjen kundër Manchester City, e vlefshme për debutimin e sezonit të ri të Premier League, ka shkaktuar shumë diskutime në Angli. “Ishte një vendim taktik, asgjë më shumë. E kam pasur të qartë, është një vendim taktik”, – ka përsëritur trajneri i bluve, pas humbjes ndaj “qytetarëve”.
Prapa kësaj lëvizjeje, megjithatë, duket se është merkatoja. Sipas asaj që raportohet nga “Mirror”, klubi i Chelsea i ka bërë të ditur lojtarit se janë në kërkim të një destinacioni të ri për të. Nga ana tjetër, blutë janë të mbipopulluar në sulm, rroga e Sterling peshon shumë dhe duan ta shesin. Për këtë gjë ka folur edhe Rio Ferdinand, ish-kapiteni i Manchester United: “Ky është trajtim i egër i Chelsea ndaj tij. Për çfarë arsye? Për të krijuar me siguri probleme në dhomën e zhveshjes?”
Fjalë që gjejnë pasqyrim te Romelu Lukaku, një tjetër nga “tepricat” e Chelsea. Qendërsulmuesi belg, i cili pret që Napoli “të heqë qafe” Victor Osimhen për t’u rikthyer nën urdhërat e Antonio Conte, ka pëlqyer komentin e Rio Ferdinand në rrjetet sociale. Mund të mos thotë asgjë, por është e qartë se Lukakun e kanë dërguar te rezervat për t’u stërvitur.