Superkupa, Lerda “injoron” Duron! Largimet dhe merkaton ia faturon klubit

17 Gusht 2019
21:59
back button

Në konferencën për mediat të dhënë një ditë përpara sfidës ndaj Kukësit, njëherësh e vlefshme për Superkupën e Shqipërisë dhe për startin e sezonit 2019/20, trajneri i Partizanit, Franco Lerda ka bërë analizën e përgatitjeve të “Të Kuqëve”.

Nga ana tjetër, trajneri italian i është shmangur të gjitha çështjeve delikate. Pa reagim ndaj deklaratës së rivalit të tij, ndërkohë që i faturon klubit çdo përgjegjësi mbi largimet e futbollistëve dhe stafit, sikurse dhe në lidhje me përfrocimet.

Superkupa për fillimin e sezonit…

“Ne jemi gati për ta nisur mirë këtë sezon, kemi dëshirën që ta nisim sa më mirë këtë sezon dhe të bëjmë tonin këtë trofe. Skuadra po punon shumë mirë, ende nuk kemi të gjithë elementët në kushtet optimale se kemi pasur përgatitje me emra që janë afruar më vonë. Por po punojmë që të gjithë të jenë sa më gati edhe në aspektin fizik, edhe atë teknik”.

Të përgatitur për penalltitë?

“Ne jemi përgatitur se e parashikon rregulloja, ndaj kemi bërë stërvitje edhe pjesën e penalltive”.

Deklarata e trajnerit të Kukësit, Duro për një Partizan mbrojtës…

“Nuk mund të përgjigjem ndaj trajnerit të Kukësit se nuk e njoh. Ne e kemi përgatitur me idenë tonë precize të futbollit. Pastaj do të jetë fusha që do ta japë gjykimin përfundimtar”.

Largimi i Mensah… kush vendosi?

“Këtë çështje duhet të pyesni klubit, për këto gjëra është klubi që merret, unë përgjigjem për fushën e lojës”.

Merkato?

“Kam ardhur në një vend të huaj, në një kampionat që nuk njoh, me një skuadër që ka fituar titullin, me drejtues që kanë ndërtuar një ekip që funksionon se ndryshe nuk do të fitonte. Nga trajnerët jam si natyrë, prej atyre që i besojnë klubit, ka edhe teknikë-menaxherë, por unë i besoj kësaj skeme”.

Loje dinjitoze apo trofeun…?

“Do t’i dëshiroja të dyja”.

Kush e vendosi largimin e Sakones?

“Pyesni klubin”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit