Superligë,  por pa ikur nga Serie A. Drejtori i Milanit “dekonspiron” oreksin e të mëdhenjve

20 Prill 2021
13:38
Alfred Lleshi
back button

Pas disa orësh heshtje, Milani filloi të prezantojë dhe shpjegojë anëtarësimin e tij në Superligën Europiane, si një nga klubet themelues të kompeticionit të ri. Këtu është letra që CEO kuqezi, Ivan Gazidis, iu dërgoi partnerëve të klubit të tij:

“I dashur partner, si një pjesë e rëndësishme e familjes së AC Milan, unë doja t’ju shkruaj për njoftimin e mbrëmshëm (pardje) mbi të ardhmen e futbollit europian. AC Milan është i kënaqur të konfirmojë se është një nga 12 klubet kryesore europiane, që është bashkuar për të krijuar një kompeticion të ri të mesjavës, ‘Super League’. Qëllimi është të krijojmë një format në të cilin ekipet më të mira garojnë më rregullisht, duke përmirësuar cilësinë dhe intensitetin e përgjithshëm të futbollit europian. Ne jemi të sigurt se kjo garë e re me 20 skuadra do të kapë imagjinatën e miliarda tifozëve të futbollit në të gjithë botën dhe do të shënojë fillimin e një kapitulli të ri emocionues në këtë sport.

Industria e futbollit, si shumë të tjera, kohët e fundit ka kaluar një periudhë paqëndrueshmërie të konsiderueshme, me vështirësi financiare, të përshpejtuara nga pandemia globale e Covid-19. ‘Super League’ do të sigurojë vlerë dhe mbështetje për të gjithë piramidën e futbollit, me burime më të mëdha financiare. Do të gjenerojë të ardhura të konsiderueshme si dhe pagesa solidariteti për ligat kombëtare, futbollin bazë dhe krijimin e një lige përkatëse të femrave, e cila do të përfaqësojë një hap transformues përpara për futbollin jo të meshkujve. Krahas angazhimit të tyre për krijimin e këtij turneu të ri europian, klubet themeluese po diskutojnë gjithashtu mbi një angazhim afatgjatë për kampionatet e tyre kombëtare.

Serie A do të mbetet gara më e rëndësishme e fundjavës në Itali dhe AC Milan është krenar që mbetet pjesë e rëndësishme e strukturës së futbollit italian. Klubet po presin me padurim të zhvillojnë diskutime me FIFA dhe UEFA dhe të gjitha institucionet e tjera të futbollit për të punuar së bashku në partneritet për të siguruar një strukturë që do të jetë e dobishme për futbollin në tërësi. Kjo është një kohë emocionuese për klubin, për ju si partnerët tanë dhe për futbollin europian. Ne shpresojmë ta fillojmë këtë udhëtim me ju dhe do t’ju mbajmë të azhurnuar për zhvillimet, ndërsa projekti përparon. Mos hezitoni të kontaktoni me ekipin tonë nëse keni ndonjë pyetje”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit