Supersfida ndaj Liverpool, Guardiola konfirmon mungesën e madhe

8 Nëntor 2019
15:26
Alfred Lleshi
back button

Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, ka konfirmuar se Ederson do ta humbasë ndeshjen e madhe të Premier League kundër Liverpool, në “Anfield”, të dielën, për shkak të dëmtimit. Dy kryesuesit e renditjes në Angli do të takohen për herë të parë në këtë sezon, në fundjavë, me gjashtë pikë më tepër aktualisht të “Reds”. Skuadra e Jurgen Klopp ka krijuar këtë avantazh të konsiderueshëm, pasi fitoi 10 nga 11 ndeshjet e para të kampionatit. Sidoqoftë, “qytetarët” mund ta hapin plotësisht betejën e titullit nëse fitojnë në këtë transfertë.

Ederson nuk do të jetë në portën e skuadrës së Guardiolës, pasi nuk arriti të tejkalojë lëndimin muskulor, të pësuar në mesjavë, në Champions. Braziliani u detyrua ta braktiste lojën gjatë barazimit 1-1 ndaj Atalanta, të mërkurën. Claudio Bravo do të jetë zëvendësuesi i tij.

Guardiola sqaroi situatën e Ederson në konferencën e sotme për shtyp: “Ederson nuk është në gjendje të luajë. Nuk e di se për sa kohë do të jetë kështu. Të dielën nuk mund të luajë. Ne kemi një tjetër portier të nivelit të lartë. Claudio Bravo mund ta bëjë më së miri punën  e tij, gjithashtu. Ne fituam “Carabao Cup” falë Claudio. Ai është një portier i jashtëzakonshëm”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit