Surpriza nga Tyson Fury, gati marrëveshja për të dueluar me boksierin kinez

8 Maj 2023
10:23
Telesport
back button

Boksieri britanik Tyson Fury mund të mbrojë titullin kampion bote të peshës së rëndë (WBC) ndaj kinezin Zhilei Zhang. Ky i fundit vjen nga fitorja me KO në raundin e gjashtë ndaj një tjetër britaniku pak ditë më parë, Joe Joyce. Lajmi konfirmohet nga e përditshmja britanike “Daily Mail”.

Në atë duel, Zhang (25 fitore, 1 humbje e 1 barazim) fitoi titullin e përkohshëm të kategorisë WBO në peshën e rëndë. Ky titull e bën Zhang sfiduesin e detyrueshëm të Oleksandr Usyk, që mban titullin e kësaj kategorie, por ukrainasi fillimisht pritet të përballet me britanikun Daniel Dubois.

Bob Arum, promotori i Tyson Fury, për “Ringside Reporter” u shpreh: “Ne jemi duke u fokusuar te djali kinez që mundi Joe Joyce. Bëhet fjalë për Zhilei Zhang. Ai është në “pole” për të dueluar ndaj Fury. Ka të ngjarë që të organizojmë një duel për në korrik dhe do të përpiqemi ta mbyllim sa më shpejt, që këtë javë”.

Edhe boksieri kinez konfirmon bisedimet: “Më pëlqen të sfidoj më të fortët. Vetëm duke mposhtur më të fortët mund të bëhet më i fortë. Unë do t’u tregoj të gjithëve, do t’i tregoj botës, të gjithë tifozëve të boksit, fuqinë kineze”. Tyson Fury, 34 vjeç (33 fitore e 1 barazim), nuk duelon që prej dhjetorit të vitit të kaluar.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit