Tenistja polake Iga Swiatek, numri 1 në botë për femra, fitoi sot grand slam-in e Roland Garros, turneu më i rëndësishëm i fushave me dhè. Në finalen e luajtur në Paris ajo triumfoi me lehtësi 2-0 (6-2, 6-1) ndaj italiane Jasmine Paolini.
Një rezultat i pritshëm për shumë arsye, çka duket edhe nga shifrat e kësaj finaleje, që zgjati vetëm 70 minuta. Swiatek triumfon për të katërtën herë në karrierën e saj në këtë turne (ka fituar edhe në vitet 2020, 2022, 2023), duke qenë një “mbretëreshë” në këtë sipërfaqe.
Përballë saj ishte një teniste, numri 15 në botë, që për herë të parë dilte në finalen e një turneu të madh, ku nuk mundi të bëjë dot asgjë. Diferencat mes dy tenisteve ishin të ndjeshme në fushë, çka u pa edhe nga rezultati final, ku polakja nuk hasi aspak vështirësi në fushë.
Për Swiatek ky është grand slam nr.5 i fituar në karrierë, duke u konfirmuar si numri 1 në botë. Një rezultat i merituar për Swiatek, që vinte pas fitoreve në Madrid e Romë, ndërsa Paolini nga dita e hënë do të jetë në “top-10” tenistet më të mira në botë.