Trajneri Sylvinho nuk mund t’u besonte syve, kur pa golin e Gjeorgjisë, sepse besonte se kombëtarja shqiptare mund të merrte të paktën një pikë në “Air Albania”.
Në deklaratën pas ndeshjes së humbur 0-1, braziliani u shpreh se djemtë kuqezi dhanë maksimumin, por sonte nuk ishte nata e tyre. “Gjeorgjianët janë shumë të shpejtë. Kjo është Gjeorgjia. Ata nisen të gjithë së bashku, gjë që e keni parë edhe në ndeshjen e tyre të fundit kundër Cekisë. Goli ishte merita e tyre, patjetër”.
Mario Mitaj u shpreh se Shqipëria sonte nuk vuajti problemin e lodhjes fizike. “Besoj se në përgjithësi kemi bërë një ndeshje të mirë. Kemi vrapuar shumë dhe patëm rastet tona, por ata i shfrytëzuan më mirë”.
“Duhej ta kishim qarkulluar topin më shumë. Gjeorgjianët patën vetëm dy raste të pastra dhe i shfrytëzuan, sepse shënuan një gol. Lodhja fizike? Jo, edhe gjeorgjianët ishin të lodhur. Është normale që jemi pak të lodhur, por kjo nuk vendosi fatin e takimit”, tha mbrojtësi i majtë i ekipit kuqezi.
Ylber Ramadani deklaroi se ekipi kundërshtar kishte përgatitur një plan të mirë dhe na befasoi me kundërsulme. “Gjeorgjianët na vunë në vështirësi me kompaktësinë në mbrojtje. Ishin pesë në mbrojtje e tre në mesfushë. Vinin me kundërsulme të befasishme. Ata e kishin përgatitur ndeshjen shumë mirë”.