Barazim me plot meritë dhe vlera ndaj Kroacisë (2-2), ndaj një kundërshtari shumë të vështirë, për të cilin trajneri Sylvinho është krenar. Mund të kishte shkuar më mirë, nëse finalizonim ato dy raste në kohën shtesë, sidomos me Dakun.
Ndoshta do ta kishim evituar përmbysjen brenda dy minutave të Kroacisë nëse zëvendësimet do të ishin bërë më shpejt (kombëtarja jonë kishte minuta që shfaqte lodhje, e mbyllur në gjysmëfushën e vet), megjithatë e përgjithshmja ishte pozitive. Pikërisht gjysmën e gotës plot mëton të shikojë edhe trajneri ynë kuqezi, teksa para gazetarëve, pas ndeshjes, u shpreh:
“Kam biseduar me FSHF-në, duam të kënaqemi në evenimente të tilla. Dua t’i premtoj popullit shqiptar se do të luftojmë në çdo moment të lojës, për çdo top dhe çdo pikë. Sot meritonim fitoren. Jam krenar me lojtarët. Jam krenar edhe për faktin që populli shqiptar ka festuar sot.
A prisja më shumë nga Kroacia? Është shumë e vështirë kur analizon ndeshjen dhe sheh vetëm rezultatin. Nëse Gjasula nuk do të shënonte, ne do të ishim shumë të trishtuar. Nga ana tjetër, Kroacia do të cilësohej e mrekullueshme për dy golat në dy-tri minuta.
Kroacia nuk luajti keq ndaj Spanjës, por spanjollët shënuan gola brenda pak minutave. Duhet parë në tërësi performanca e një skuadre. Tentuam të mbroheshim mirë. Kemi bërë lojë të mirë kundër një skuadre të vështirë dhe lojtarëve të jashtëzakonshëm. Kroacia ka tërë respektin tim.
Nuk e mbyllëm ndeshjen dot, më pas pësuam dy gola, ndaj u bë shumë e vështirë. Pesë minutëshi i fundit do të mbetet në mendjen e të gjithë shqiptarëve. Këtë ndeshje do ta mbajmë mend gjithë jetën. Kemi lojtarë që po përfitojnë shumë eksperiencë nga e gjitha kjo. Ndeshjen e vendos rezultati, se po të hynte ai topi i Manajt ndaj Italisë, sot do të ishim këtu duke folur ndryshe.
Pësuam dy gola të shpejtë sërish? Epo, e dini si përmirësohet kjo. Duhet të luajmë në Europian më shpesh, duke shkuar në Botëror, kështu përmirësohet”.