Sylvinho me “laps e letër”: Mund të luajmë më shumë se tri ndeshje në “Euro 2024”

6 Qershor 2024
13:17
Alfred Lleshi
back button

Në fakt këto ditë ka folur për disa media të huaja, që nga kampingu stërvitor i kombëtares kuqezi në Austri. Ditën e sotme doli në konferencën për shtyp, të organizuar nga FSHF-ja, ku analizoi situatën e grupit të lojtarëve në dispozicion, si po shkon stërvitja intensive, miqësoren e së premtes ndaj Azerbajxhanit (19:00) e mjaft gjëra të tjera. Sylvinho madje guxoi shumë, kur tha se kombëtarja që drejton shpreson të luajë më shumë se tri ndeshjet në grup, në “Euro 2024”.

Miqësorja e fundit ndaj Azerbajxhanit është si “paradhomë” e sfidës debutuese në Europian. A do të zbresë në fushë formacioni hipotetik ndaj Italisë?
Jemi duke zhvilluar përgatitjet, ishin në program dy miqësore. Është një process pune i shpejtë, nuk kemi pasur dy-tri javë në dispozicion. Kemi shtatë ditë që stërvitemi, kishim planifikuar edhe dy miqësore. Po përgatitemi për ndeshjen me Italinë, por nuk mund të them si do të luajë skuadra në atë sfidë. Mbetet për t’u parë kur të vijë momenti. Ndaj Azerbajxhanit do t’iu japim minuta lojtarëve që nuk kanë luajtur shumë. Pra, edhe do të provojmë.

A duket Italia si kundërshtari që mund t’i marrim pikë në Europian?
Po flasim për kampionët e Europës në fuqi, Italia është nga kombëtaret më të forta. E njëjta gjë mund të thuhet për Spanjën dhe Kroacinë. Është një grup i bukur për të gjithë ne, është mundësi që ta shijojmë këtë pjesëmarrje të dytë në Europian, të provojmë të bëjmë më të mirën. Pas miqësores do të bëjmë analizën tonë, për t’u përballur sa më mirë me Italinë. E kemi ndjekur miqësoren e fundit të Italisë dhe kemi mbajtur shënimet e duhura.

Nesër duhet zyrtarizuar lista përfundimtare e kombëtares për në Europian. A pritet ndonjë ndryshim i momenteve të fundit?
Çdo ditë është e rëndësishme për stafin dhe ekipin. Aktualisht, të gjithë janë të karikuar. Po stërvitemi në një kamp shumë të mirë, të qetë dhe me kushte fantastike. Nesër vendoset lista përfundimtare, kemi edhe një ditë kohë për të parë dhe analizuar. Nëse do të ketë ndonjë dëmtim më vonë, UEFA lejon një zëvendësim, shpresoj të mos ndodhë.

Cili është plani B në të djathtë, përveç Asanit?
Asani është një lojtar që nuk ka luajtur së fundi, por e shoh në formë. Natyrisht, ka pikëpyetje kur nuk ke luajtur. Për Asanin, miqësorja e nesërme do të jetë mundësi tjetër që të marrë minuta, sepse nuk ka luajtur në katër apo pesë muajt e fundit. Po e mbajmë nën vëzhgim, është në gjendje të mirë. Sigurisht, kur një lojtar e ndjen pak lodhjen është mirë të ndërhysh, sepse kemi të tjerë me kualitet që mund ta bëjnë atë rol. Të shohim, mbetet për t’u vlerësuar.

A do të doje të ndryshoje diçka nëse do të kishe mundësi për përgatitjen para Europianit?
Jo, përgatitja është shumë e mirë. Këtu është një vend shumë i mirë. Jemi të qetë. Marrim pjesë në një turne të rëndësishëm, duhet ta shijojmë dhe të tregojmë përgjegjësi. Jemi të kënqur si po punohet, kemi 9 ditë që stërvitemi fort. Të gjithë lojtarët janë të karikuar dhe të motivuar. I shoh të fokusuar në punën e tyre. Ka lojtarë që kanë luajtur 30, 40 ndeshje, të tjerë që kanë luajtur më pak. Kjo nuk është në dorë tonë, por kemi punuar për të marrë ngarkesën e duhur fizike.

“Blloku italian” i kombëtares, sa i rëndësishëm do të jetë për sfidën ndaj Italisë?
Të luash kundër Italisë është një motivim i madh. Edhe unë, kur isha me Brazilin më 1982, e kam parë ndeshjen Brazil-Itali. Brazili e humbi atë ndeshje. Nuk ka nevojë të luash në Serie A për të pasur motivimin e duhur, nuk ka rëndësi ku luan në Spanjë, Gjermani, Bundesligë apo Portugali. Italianët kanë një fanellë të rëndë dhe janë favoritë, për ne është e rëndësishme të përgatitemi mirë.

A po mendoni për rinovimin e kontratës?
Jam nga Lushnja, lushnjar. Ata që thonë ‘ça bone’ janë nga Tirana. Ka shumë punë për të bërë me Europianin, kontrata nuk më shqetëson aspak. Po punojmë në kushte të shkëlqyera, e dimë rëndësinë e kompeticionit, sa sfidë e madhe është. Jemi duke përfaqësuar Shqipërinë dhe kjo është shumë e bukur. Tani e gjithë energjia jonë është për ndeshjet e Europianit, ndoshta edhe përtej tri ndeshjeve të grupit.

A do të keni premio në rast rezultati pozitiv?
Nuk e di, ne do të luftojmë për çdo pikë. Do të punojmë fort, është nder ta përjetojmë këtë eksperiencë. Raporti me federatën është shumë i bukur dhe po e përjetojmë si një rrugëtim fantastik.

Cili është shqetësimi më i madh në vigjilje të ndeshjes ndaj Italisë? Motivimi kaq i madh a mund të kthehet në presion?
Gjithçka është shumë e shpejtë, pak ditë na ndajnë nga ndeshja me Italinë. Pas miqësores me Azerbajxhanin, një kundërshtar i fortë, do të shohim çfarë mund të përmirësojmë. Ndeshja me Azerbajxhanin do të na japë shumë mundësi për të kuptuar. Do të shohim më shumë në aspektin difensiv. Dua të siguroj 100% se jemi të bindur që kemi tre kundërshtarë shumë të fortë, kemi respekt për ta dhe kompeticionin. Jemi të motivuar, po punojmë, por e dimë që duhet ta shijojmë faktin që jemi në Europian.

Si duhet luajtur në Europian?
Duhet të sakrifikojmë shumë dhe të vrapojmë pa masë, kundërshtarët tanë nuk mendojnë që të kalojnë grupin, por të fitojnë. Në një ndeshje ndodh gjithçka, ndodh mrekullia. Lojtarët e kanë kuptuar shumë mirë këtë, ne jemi një. Mënyra e duhur për të luajtur është me sakrificë dhe shpirt. Entuziazmi është i mirë për të marrë pikë, por nëse themi që do të mundim Italinë, atëherë nuk është e drejtë. E di që kam lojtarë seriozë, që punojnë fort dhe sakrifikojnë, por rezultatin e vendos fusha.

Pse është i vlefshëm Abrashi në Europian, kur nuk ka qenë në asnjë ndeshje kualifikuese?
Ka luajtur në kualifikuese, ka qenë në mars dhe qershor me ne. Ka bërë një sezon shumë të mirë.

A do të na e thoni formacionin ndaj Azerbajxhanit, meqë është miqësore?
Duhet të respektoj të gjithë lojtarët. Kemi stërvitje dhe nesër punë me video. Mund ta thoja formacionin, por nuk e bëj në respekt të lojtarëve. Ndoshta jua them para Italisë. Thashë që luan Asani. Faleminderit çuna”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit