Sylvinho për median spanjolle: Po jetojmë një ëndërr, na presin rivalë shumë të fortë në Europian

6 Qershor 2024
11:37
Alfred Lleshi
back button

Sylvio Mendes Campos Junior (São Paulo, Brazil, 1974) luajti si mbrojtës i majtë për Corinthians, Arsenal, Celta Vigo, Barcelona dhe Manchester City, ku u tërhoq nga futbolli në vitin 2010. Ai ishte asistent i trajnerit Tite në kombëtaren e Brazilit, përpara se të merrte frenat e Olympique Lyon më 2019, aventura e tij fillestare si trajner, e cila zgjati disa muaj.

Në vitin 2021 nënshkroi për Corinthians dhe që nga janari 2023 drejton kombëtaren shqiptare, të cilën e udhëhoqi drejt Kampionatit të dytë Europian si kryesues i grupit… Kështu nis shkrimi i prestigjiozes sportive spanjolle “AS” për kombëtaren tonë kuqezi, si njëra nga finalistet e “Euro 2024”, teksa zhvillon një intervistë, si më poshtë, me Sylvinho.

Si firmosi Sylvinho me Shqipërinë?
Ishim në bisedime për një muaj, as ata nuk e dinin nëse do ta pranoja ofertën. Por, njëherë patëm një darkë shumë të këndshme dhe u afruam shumë. Për 15 apo 20 ditë nënshkruam kontratën. Unë kisha marrë të gjitha informacionet që lidheshin me Shqipërinë si skuadër dhe si vend. E dija se kishte lojtarë me kualitet, tani po jetojmë një ëndërr.

Një nga sekretet e federatës është zbulimi i talenteve shqiptarë në Europë, si të duket kjo?
E dija për këtë, është një punë e jashtëzakonshme. Ka një numër të lartë futbollistësh shqiptarë që luajnë në Itali, Gjermani dhe Zvicër. Popullisa në Shqipëri është vetëm 3 milionë, por jashtë kufijve ka 10 milionë të tjerë që ndihen po aq shqiptarë. Është një punë shumë e vështirë dhe e mundimshme të zbulosh futbollistë nga 18, 19 dhe 20-vjeçarë, e më pas t’i bindësh që të luajnë për Shqipërinë. Ata janë me kualitet, sepse nëse luajnë në shtetet e sipërpërmendura, do të thotë që kanë shumë të ardhme.

Si prezantohet Shqipëria në këtë Europian?
Po përgatitemi. “Euro 2024” do të jetë shumë i vështirë, kundërshtari i parë është Italia, pastaj Kroacia dhe Spanja në ndeshjen e fundit. Do të shohim si do të mbërrijmë deri te ndeshja e fundit, për mua është speciale të sfidoj Spanjën.

Çfarë do të thotë për ju që të jeni mes më të mirëve të Europës?
Punuan shumë dhe punuam në mënyrë të mrekullueshme që të ishim pjesë e këtij Europiani. U përballëm me kundërshtarë shumë të vështirë. Duhet të përgatitemi mirë sepse na presin kundërshtarë shumë të fortë.

Si janë lojtarët shqiptarë?
Janë lojtarë me shumë teknikë, e godasin mirë topin dhe ju pëlqen shumë të luajnë futboll. Një nga avantazhet e skuadrës është se lojtarët tanë aktivizohen në Spanjë, Itali, Angli, Gjermani apo Portugali. Kjo i bën ata të mësojnë shumë. Jemi një skuadër teknike dhe që na pëlqen të luajmë futboll.

Megjithatë, sërish një mrekulli që Shqipëria është pjesë e Europianit…
Është bërë një punë e madhe nga ana e stafit tim për një vit. Ka shumë njerëz aty në prapaskenë, Doriva, Zabaleta, asistentët. Por, edhe shumë njerëz të tjerë të mirë, italianë dhe shqiptarë.

A ju falënderojnë për përfshirjen tuaj në projekt?
Nuk diskutohet. Unë dhe Doriva kemi vendosur që në fillim të jetojmë në Tiranë. Kuptuam që puna nis aty, nga monitorimi i të gjithë lojtarëve të mundshëm. Ne duhej të bënim ndryshimet që ne kuptuam se ishin të nevojshme. Ne punojmë shumë. Shpërblimi erdhi shpejt me lojëra dhe rezultate të mira dhe mundësinë për të luajtur në një kampionat europian. Edhe pse Shqipëria ishte kualifikuar më parë në vitin 2016, sërish jemi shumë të lumtur. Ne arrijmë shpejt te rezultatet. Nuk po them se ishte e papritur, por ishte shumë e vështirë. Po punojmë mirë.

Ju, ndryshe nga trajnerët e tjerë të huaj në botë, vendosët të vendoseni në Tiranë…
Po, është hera e parë që një staf stërvitor nga jashtë vjen për të jetuar këtu. Mendova se ishte diçka shumë e rëndësishme për të kuptuar kulturën e vendit. Duhej të integroheshim me njerëzit. Që nga 9 janari 2023, kur mbërritëm, kemi punuar shumicën e ditëve nga ora 9 e mëngjesit deri në 4 ose 5 pasdite. Madje, Eedhe më shumë orë. Ky është një nga aspektet kryesorë të suksesit.

Ju, Zabaleta apo Doriva, keni luajtur në klube dhe liga elitare, a kishte nevoja dhoma e zhveshjes së Shqipërisë për njerëz si ju?
Është e rëndësishme. E them me përulësi dhe ne të tre e bëjmë gjithmonë të qartë: nëse ke një ëndërr, një objektiv, nuk ka rëndësi nëse ke fituar një Botëror apo një Kampionat Europian. Ju duhet të luftoni për të. Ka një gjë tjetër thelbësore: të përfaqësosh vendin tënd është një gjë shumë e bukur dhe lojtarët shqiptarë e kanë shumë të theksuar këtë pjesë.

Futbolli së fundmi ka pasur shumë surpriza, Leverkusen, Girona, Leicester, Greqia në 2004… Mund të dhurojë edhe Shqipëria një surprizë?
Futbolli në vitet e fundit është duke u rritur shumë, ka zhvillim në anën fizike, po punohet shumë edhe me teknologjinë, me teknikat e reja. Është e qartë se të mëdhatë mbeten të mëdha, skuadra të cilat janë me më shumë kualitet se të tjerat. Por, nëse punon mirë diferencat mund të ulen. Pastaj, Europiani është një turne i shkurtër dhe në 90-minuta mund të ndodhë gjithçka. Është një avantazh që kanë skuadrat e vogla në këtë turne.

Çfarë mund të më thoni për Spanjën?
Nga Spanja më pëlqen gjithçka.

Por, kjo nuk është Spanja e vitit 2010 apo jo?
Spanja mbetet Spanja. Ka lojtarë shumë të mirë, ka kualitet teknik dhe ka një ADN spanjolle. Për mua ka gjithçka. Por, jo të gjithë brezat janë njësoj. Ajo e vitit 2010 ishte e jashtëzakonshme, por edhe tani ka lojtarë të mëdhenj, dua të veçoj Rodrin, ai është një lider.

Ke luajtur me Xavin, çfarë i ndodhi te Barcelona?
Xavi është një person i këndshëm dhe një trajner i madh. Fituam kampionatin vitin e kaluar. Por, Barça është pak e vështirë për t’u trajnuar sepse është një klub i madh. Mendoj se në futbollin aktual nuk ka shumë durim, është më e lehtë të thuash që dikush dështoi. Këtu te Shqipëria janë thuajse 23 lojtarë që kanë luajtur edhe me Panuccin e Rejën dhe unë i falenderoj ata sepse edhe falë punës së tyre, kemi mbërritur këtu ku jemi.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit