Te Ferrari janë të kënaqur këtë sezon me 5 fitore të arritura në botërorin e Formula 1. “Kokëkuqja” është ende në garë për titullin kampion për konstruktorë dhe shpreson të rikthehet te fitorja në garën e radhës në Las Vegas.
“Do të jetë një mundësi e mirë për të fituar, pasi është një pistë që na përshtatet. Botërori i këtij viti është ende i hapur, ndaj shpresojmë ta fitojmë atë duke parë kapacitetet që kanë të dy pilotët tanë”, tha Frederic Vasseur, shefi i Ferrari.
Gjithsesi, kur kanë mbetur edhe 3 gara nga mbyllja e këtij botërori, te Ferrari janë duke menduar edhe për vitin 2025. Këtë gjë e konfirmon menaxheri francez: “Prej muajsh jemi përqendruar te të projekti i vitit të ardhshëm”.
“Këtë sezon ka patur mjaft risi që janë në funksion të asaj që do të ndodhë pas një viti. Ne kemi mjaft besim dhe shpresa si në tri garat e mbetura ashtu dhe në sezonin që do të vijë, kur do të kemi Hamilton në timon”, tha Vasseur.