Wojciech Szczesny është gati të fillojë jetën e tij të re te Barcelona. Jo një aventurë e re, por vetëm një jetë tjetër, nënvizoi portieri polak, i cili pasi njoftoi tërheqjen nga futbolli në gusht, pas rinovimit të dështuar me Juventusin, vendosi t’i heqë dorezat nga gozhda dhe t’i veshë sërish, tashmë me fanellën Blaugrana.
Një zgjedhje emergjente e klubit katalanas, pas dëmtimit të Ter Stegen. “Është një histori shumë e çuditshme për mua, sepse një ditë para se Marc të lëndohej, isha 100% i sigurt se do t’i kisha thënë ‘jo’ gjithkujt. Sidoqoftë, kur mora telefonatën nga Barça, gjithçka ndryshoi, – tha polaku për “Mundo Deportivo”, duke nënvizuar më tej: – Jam i ftohtë dhe ambicioz, kam ardhur në Barcelonë për të fituar”.
Objektiva të saktë për ish-portierin e Juventusit, i cili i bëri të qarta gjërat menjëherë: “Do të doja të fitoja trofe që nuk i kam fituar më parë, sikurse është Kupa, Kampionati dhe Liga e Kampionëve. Shpresoj t’i fitoj të paktën dy trofe dhe t’i ngre drejt qiellit”.
Szczesny, duke folur për gazetën iberike, më pas shpjegoi pse zgjodhi të kthehej në fushat e blerta, pas vendimit për t’u tërhequr: “Shikova gruan time duke shpresuar se ajo do të më thoshte: mos e bëj. Sidoqoftë, nuk mund t’i thuash ‘jo’ Barcelonës. Historia e klubit dhe nderi i veshjes së kësaj fanelle më bëri të ndryshoja mendje. Nuk mendoj se do ta kisha bërë për asnjë klub tjetër”.
Pas Arsenalit, Romës dhe Juventusit, nis një aventurë interesante për polakun, i cili tha se ishte gati të shkruante një faqe të re në historinë e tij të gjatë me futbollin: “Kam luajtur më shumë se 600 ndeshje në karrierën time, nuk më intereson nëse duhet të rikthehem në fushë kundër një ekipi më të vogël ose kundër Bayernit.
Dua të jem i përgatitur së pari, sepse pres shumë nga vetja. Dua ta përfaqësoj Barcelonën sa më mirë, nuk e di se kur do të ndodhë. Mund të jetë ndeshja e radhës ose pas dy muajsh, ky është vendimi i trajnerit. Thjesht duhet të përgatitem 100% dhe të bëj më të mirën, por për momentin nuk jam gati”.