Borussia Dortmund është kualifikuar për në finalen e Champions League, ku në Wembley do të përballet me Real Madrid. Skuadra e drejtuar nga trajneri Edin Terzic duket se po mendon që tani për atë ndeshje, ndaj dhe ka lëshuar shumë në kampionat.
Kjo gjë u pa në humbjen 0-3 që ekipi pësoi dy ditë më parë në në fushën e Mainz. Gjithsesi, ekipi e ka siguruar një vend në Champions sezonin tjetër, ndërkohë që ka edhe një ndeshje për të luajtur, atë ndaj Darmstadt, tashmë i rënë nga kategoria.
Trajneri Edin Terzic nuk dëshiron që të bëjë një tjetër paraqitje të turpshme, ndaj në sfidën e fundit, para tifozerisë së tij, kërkon fitore. “Kemi kohë për të menduar për finalen e Champions. Kemi ende edhe 90 minuta në kampionat e duam ta mbyllim me fitore para tifozëve tanë”, tha Terzic.
“Ndeshja në Wembley është ende tre javë larg dhe përpara kësaj duhet të nderojmë kampionatin. Mendoj se do t’u japim të gjithë lojtarëve në dispozicion një shans për të treguar veten. Por nuk duhet të luajmë duke menduar për Champions, pasi dueht të nderojmë tifozët tanë”, tha Terzic.