Manchester United e mbylli këtë sezon të ndërlikuar me fitimin e finales së FA Cup, ku mundi 2-1 Manchester City. Golashënuesi i “djajve të kuq”, i shpallur edhe lojtari i ndeshjes, Kobbie Mainoo, vlerësoi këtë sukses në fund të një sezoni të vështirë, duke shtuar se goli i tij ishte “një moment i mahnitshëm”.
“Është e pabesueshme, tifozët, loja në tërësi, trofeu, fitorja. Ne u përpoqëm t’i ndalonim të luanin nga mesi, pasi ata janë kaq të rrezikshëm. Ata kanë aq shumë cilësi. Ne u përpoqëm t’i dërgonim gjerësisht dhe t’i bllokonim nga atje. Mbrojtëm me jetën tonë dhe ia dolëm mbanë”, tha Mainoo.
“Nuk e mbaj mend golin tim, pasi ishte një moment kaq i mrekullueshëm për mua. Thjesht bëra vrapimin dhe e drgova topin në portë. Cilësia që Bruno Fernandes ka për asist. Ai sheh dhe bën gjëra që askush tjetër nuk mund ta bëjë”, tha më tej sulmuesi i ri anglez, që këtë sezon luajti rregullisht me Manchester United.
Duke folur për këtë sezon të Manchester United, ai shtoi: “Ka qenë një sezon i vështirë për ne dhe tifozët. Ata kanë qenë me ne gjatë gjithë këtij rrugëtimi, por në një ndeshje si kjo, ne duhej të mblidheshim e të fitonim edhe për ata. Kjo fitore ishte drita në fund të tunelit, ne duhej ta fitonim dhe e bëmë këtë gjë”.