E ardhmja e Leroy Sane ende nuk është vendosur. Sipas “Sky Sport Deutschland”, futbollisti gjerman është ende i paqartë se ku do të luajë sezonin e ardhshëm, ndërkohë që kontrata e tij me Bayern Munich skadon këtë verë.
Shefi i klubit bavarez Max Eberl po vazhdon bisedimet me agjentët e lojtarit për zgjatjen e kontratës. Anësori sulmues është i gatshëm të pranojë një ulje rroge, por ende nuk është marrë një ofertë me shkrim nga klubi.
Duket se edhe te Bayern Munich janë në një udhëkryq, por diçka më shumë do të mësohet tri javët e ardhshme. Ndërkohë, Arsenali vazhdon të jetë i interesuar për nënshkrimin e Leroy Sane, 29 vjeç, si lojtar i lirë.
Klubi anglez tashmë ka kontaktuar me stafin e lojtarit për të kuptuar nëse ai është i kënaqur me destinacionin e ri. Sane është në sezonin e pestë me bavarezët, ndërkohë që më parë ka luajtur në Premier League me Manchester City.







