Të gjitha prapaskenat; ja si nisi “lufta e ftohtë” mes Haaland dhe BVB

3 Prill 2021
13:05
Alfred Lleshi
back button

Raundi i bisedimeve midis Mino Raiola dhe babait të Haaland të enjten në Barcelonë dhe Madrid, takimi me përfaqësuesit e dy gjigantëve të La Liga-s, nuk ishte starti fillestar i një operacioni, që në merkaton e verës mund të angazhojë shumë palë. Ky start ishte të mërkurën, kur Raiola dhe babai i Haaland u takuan me Michael Zorc, drejtorin sportiv të Borussia Dortmund. Një takim për t’i vendosur opsionet në tryezë.

Në këtë takim, Raiola përcolli te Borussia dëshirën e Haaland për t’u rritur më tej në një ekip të nivelit të lartë europian. Pas më pak se një sezoni e gjysmë në Gjermani, ndjenja e sulmuesit dhe njerëzve përreth tij është se BVB i rri ngushtë tashmë atij. E thënë ndryshe, ylli norvegjez beson se ka aftësinë për të udhëhequr një projekt më të madh. Zorc, nga ana e tij, ishte i qartë për pozicionin e Borussia: nuk ka asnjë mënyrë që të negociohet transferimi këtë verë.

Marrëveshja midis palëve është që mundësia e transferimit të hapet vetëm verën e vitit 2022 (një pakt verbal, i panënshkruar në asnjë kontratë). Vetëm atëherë, klubi gjerman do të vendosë një çmim për të. Kohët e fundit, shifra prej 180 milionë euro është shfaqur si një çmim i mundshëm për këtë verë, por Borussia refuzon për ta shitur bomberin e vet.

Pas takimit në fjalë dhe pasi Raiola me babain e Haaland u shfaqën në Barcelonë dhe Madrid të enjten, Zorc doli për të vlerësuar “udhëtimin e rrufeshëm” të tyre, duke përcjellë publikisht pozicionin e BVB: “Unë fola me Raiola dje, si klub ia bëmë shumë të qarta qëllimet tona”.

Siç mësoi “AS”, në atë takim Raiola pranoi pozicionin e Dortmundit, por klubi gjerman e di që ky qëndrim ka një datë skadence. Udhëtimi i përfaqësuesve të Haaland në Spanjë është një “deklaratë” synimesh të qarta, ndaj Borussia e di se agjenti i njohur do ta përsërisë kërkesën e tij së shpejti. Mbi të gjitha, dhe kjo është shumë e rëndësishme, nëse skuadra verdhezi nuk arrin të kualifikohet në Ligën e Kampionëve.

Nëse ka një gjë që Haaland po shquhet në skenën europiane, kjo është për shkak të arritjeve të tij në Ligën e Kampionëve. Ai ka 20 gola në 14 ndeshje në sezonin e parë kontinental, duke qenë vetëm 20 vjeç. Në moshën e tij, Cristiano Ronaldo mezi kishte realizuar një gol në Champions, madje as në fazën finale të turneut. Portugezi kishte shënuar në fazën e mëparshme, me Manchester United, kundër hungarezëve të Debrecenit. Sulmuesi norvegjez e di se të luajë në Ligën e Kampionëve është thelbësore për të vazhduar përparimin e tij prej elitari.

Champions-i nuk është diçka, që Dortmundi e ka siguruar për edicionin e ardhshëm. Për momentin, Borussia është e pesta në Bundesligë, 4 pikë larg nga Frankfurti, i cili mbyll zonën e Champions-it. Për të qenë në këtë kompeticion edicionin e ardhshëm, ai duhet të hyjë në katër të parët ,ose të shpallet kampion Europe në këtë sezon. Një detyrë e ndërlikuar, teksa ka Manchester City si rival në çerekfinale.

Për këtë arsye, te Borussia e dinë mirë që, nëse nuk arrihet qëllimi, Liga e Kampionëve, Raiola do të kërkojë me tërë forcën largimin e klientit të tij. Gjithashtu, mungesa e të ardhurave nga Champions-i do ta detyronte Dortmundin pjesërisht t’i hapte rrugë një transferimi me shumë para. Një lloj “lufte e ftohtë” midis Borussia dhe Haaland, në të cilën të dyja palët nënshkruan një “armëpushim” të mërkurën. Njëra palë e theu atë të enjten dhe e vetmja garanci është se ky është vetëm fillimi…

Lajme të tjera

Lajmet e fundit