Duhej të ndodhte herët ose vonë.
Nuk mund të mbetesh i pamposhtur përgjithmonë. Pep Guardiola zbulon se është normal pas një karriere si trajner, të nisur te Barçën B në 2007-ën, të mbushur me fitore dhe trofe.
Nuk i kishte ndodhur kurrë të humbte katër ndeshje radhazi. Një makth i kthyer në realitet pas përmbysjes së Brighton-it, e ardhur pas humbjes në Kupën e Ligës, kundër Bournemouth në Premier dhe me Sporting-un në Champions.
“Sporti nuk është gjithmonë diell. Nuk ka gjithmonë momente të mira. Në konferencë për shtyp më kanë pyetur nëse ky është fundi i një epoke. E di që njerëzit e duan. E ndiej prej shumë, shumë vitesh.
“Duhet të kërkojmë të fitojmë përsëri, duhet t’i ndryshojmë gjërat shumë shpejt. Kalendari është i vështirë. Për momentin nuk jemi në gjendje të luajmë në një nivel të lartë për 90 minuta”, ka thënë Guardiola.