“Të xhiron në vend, as mund t’i afrohesh pranë Pogba”

4 Qershor 2020
11:16
Alfred Lleshi
back button

 

Brandon Williams është bërë lojtari i fundit i Manchester United, që lavdëron cilësitë e Paul Pogba. Ai pranon se nuk mund t’i afrohesh mesfushori francez në stërvitje. Në fakt, janë ngritur shumë pikëpyetje në lidhje me vlerën e Pogba në “Old Trafford”, që kur u kthye në Angli si pjesë e një pakete transferimi rekord prej 89 milionë £, në verën e vitit 2016.
Dëmtimet dhe forma fizike e kanë pllakosur fituesin e Kupës së Botës 2018 deri në atë pikë, sa e ardhmja e tij është bërë objekt spekulimesh intensive. Sidoqoftë, ata që janë rreth tij në stërvitje te “Djajtë e Kuq” nuk kanë pasur kurrë dyshim për aftësitë e francezit. Williams, mbrojtësi i majtë 19-vjecar, pohon se stërmundohen për ta mbajtur ritmin stërvitor të 27-vjeçarit në baza ditore, për të dyluftuar me të. Ai i tha “BT Sport”:

“Ju nuk mund t’i afroheni gjatë dyluftimit, krahët e tij janë aq të fortë, është aq i gjatë. Ju nuk do t’ia shihni topin, kur e ka ai në këmbë. Gjithçka që shihni është tërë ai djalë para jush. Ai mund të të xhirojë në vend, me një driblim. Mund të bëjë gjithçka, sepse i ka të gjitha aftësitë”. Ndërkohë, Premier League i është dhënë drita jeshile për të rifilluar më 17 qershor, me “Djajtë e Kuq” në ndjekje të një vendi në “top 4”, teksa garon për “FA Cup” dhe “Europa League”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit