E ardhmja e mbrojtësit holandez Denzel Dumfries duket se do të vazhdojë të jetë tek Inter. Pas thashethemeve që kanë të bëjnë me negociata të gjata për rinovimin e kontratës, e cila skadon në vitin 2025, duket se marrëveshja është gjetur.
Është vetë mbrojtësi 28-vjeçar ai që rrëfen se palët janë pranë finalizimit të marrëveshjes: “Nëse gjithçka shkon mirë si deri më tani, shpresoj që zgjatja të zyrtarizohet sa më shpejt”.
Sipas mediave, ka një marrëveshje mes palëve për ta rinovuar kontratën e Dumfries deri në vitin 2028. Paga duhet të mbetet rreth 4 milionë eurove në sezon, pa klauzolë ndërprerjeje të kontratës.
Dumfries është në sezonin e tij të katërt me fanellën e Inter dhe këtë sezon ka luajtur shtatë ndeshje për zikaltërit (5 si zëvendësues). Ndaj, ai kërkon më shumë hapësira nga trajneri Inzaghi.
“Pas Kampionatit Europian u ktheva pak më vonë se të tjerët dhe, gjithashtu, ka shumë konkurrencë. Është e qartë që dua të luaj më shumë, por tashmë kjo gjë ka ndodhur më shpesh në javët e fundit”, tha Denzel Dumfries.