Ten Hag nuk dorëzohet: Unë gjithnjë fitoj trofe, edhe ky sezon do të jetë i suksesshëm për United

2 Tetor 2024
13:43
Telesport
back button

Trajneri Erik ten Hag këmbëngul se Manchester United do të zgjidhë problemet e tij dhe do të bëjë një sezon të suksesshëm. Drejtuesit e “djajve të kuq” po mbështesin Ten Hag pavarësisht paraqitjes së turpshme në humbjen 0-3 të së dielës në shtëpi ndaj Tottenham, në Premier League.

Ndeshjet e vështira në Porto dhe Aston Villa këtë javë do të bëjë që presioni të rritet mbi trajnerin holandez, përpara pushimeve për ndeshjet e kombëtareve. “Ne do të bëjmë një sezon të suksesshëm“, tha Ten Hag për Sky Sports.

Asgjë nuk është e lehtë, por kjo nuk është diçka e re dhe për të krijuar panik. Ne mund t’i zgjidhim problemet, ky ekip mund të dalë vetë nga kriza”, tha Ten Hag, që nuk mendon për shkarkimin: “Nuk po mendoj për këtë, nuk jam në ankth. Kemi krijuar një bashkim në verë me pronësinë dhe udhëheqjen”.

Ne e dimë se strategjia është për të sjellë lojtarë të rinj në një periudhë tranzicioni. Klubi e di se në maj, në gjashtë sezonet e mia të fundit, ka pasur gjithmonë trofe dhe kjo është ajo që ne synojmë”, u shpreh holandezi, që me United ka fituar një Carabao Cup dhe një FA Cup në dy sezone.

Ten Hag thotë se do të sigurohet që lojtarët të mbajnë besimin e tyre dhe kjo është gjëja më e rëndësishme për të dhe stafin e tij. “Nëse humb besimin, humb gjithçka. Duhet të vazhdojmë dhe t’i përmbahemi planit. Për një periudhë të gjatë, ne jemi në tranzicion te Manchester United”, shtoi Ten Hag.

Që nga momenti kur hyra, ne e dinim se duhej të ndryshonim. Duhet të zëvendësonim disa lojtarë më të vjetër. Zgjedhja jonë ishte të sillnim lojtarë të rinj dhe kjo kërkon kohë për të marrë mesazhet e duhura, për të marrë një model loje dhe për të futur një kulturë të re. Kjo kërkon kohë”, u shpreh Ten Hag.

Unë kam dëshmuar në karrierën time se gjithmonë fitoj. Në gjashtë vitet e fundit kam tetë trofe. Kur lojtarët kanë një paraqitje të keqe, atëherë unë nuk e kam bërë mirë punën time sepse ata nuk luajtën ashtu siç prisja të bënin. Ne jemi atje së bashku dhe duhet të luftojmë së bashku për të dalë nga kjo”, tha Ten Hag.

Ky është një ekip ku lojtarët duan të luftojnë për njëri-tjetrin. Gjithashtu, mund t’i shihni tifozët. Ata janë të zhgënjyer, por ata qëndruan me ne dhe vazhduan të na mbështesin nga momenti i parë deri në momentin e fundit. Ne jemi bashkë“, tha Ten Hag.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit