Trajneri i Manchester United, Erik ten Hag është shkarkuar pas një sërë rezultatesh të këqija. Holandezi, 54 vjeç, u informua të hënën në mëngjes për vendimin e klubit, pas dy vite e gjysmë në krye të “Djajve të Kuq”. Skuadra e tij humbi 2-1 si mysafire në fundjavë kundër West Ham.
Në një deklaratë nga klubi thuhet: “I jemi mirënjohës Erik për gjithçka që ka bërë gjatë kohës që ka punuar me ne, i urojmë më të mirën në të ardhmen”.
Ruud van Nistelrooy, ish-sulmuesi holandez, i cili ishte ndihmës i Ten Hag, do të marrë drejtimin e skuadrës si trajner i përkohshëm, derisa të rekrutohet një trajner i përhershëm.
Ten Hag i mbijetoi shkarkimit pas një fitoreje në finalen e “FA Cup” ndaj rivalëve Manchester City, në maj.
Holandezi u “votëbesua” për të vazhduar, pavarësisht se Manchester United e mbylli sezonin e kaluar të Premier League në vendin e tetë (klasifikimi më i ulët ndonjëherë në Premier League) dhe u eliminua nga Champions League para Krishtlindjeve 2023.
Tashmë, një seri rezultatesh të këqija, duke përfshirë humbjet 3-0 në shtëpi ndaj Tottenham dhe Liverpool, e dëmtuan seriozisht fillimin e skuadrës në sezonin e Premier League.
Ten Hag nënshkroi një marrëveshje 3-vjeçare me Manchester United më 2022, duke marrë përsipër rolin nga trajneri i përkohshëm Ralf Rangnick, pasi ish-trajneri dhe legjenda e klubit Ole Gunnar Solskjaer u largua.
Manchester United fitoi “Carabao Cup” më 2023 dhe mundi rivalët ndërqytetas të Manchester City, kampionët e Premier League, për të fituar finalen e “FA Cup 2024”. Një fitore befasuese 2-1 në “Wembley”, në fund të sezonit të kaluar.