Tenisi në krizë pa Federer, finalja Djokovic-Tsitsipas më pak e ndjekura në dekadën e fundit

3 Shkurt 2023
11:47
Telesport
back button

Grand slam i Australian Open mbyllur një javë më parë tregoi se sporti i tenisit do të përballet me një krizë të madhe shikueshmërie. Sidomos pas tërheqjes së Roger Federer, ndërkohë që drejt kësaj rruge është edhe Rafael Nadal. Ky turne u fitua nga Novak Djokovic e Aryna Sabalenka, por shikueshmëria e këtij turneu, si në Australi ashtu dhe në Europë, pësoi një rënie drastike.

Kështu, sipas të dhënave të publikuara nga Channel 9, televizioni australian që ka blerë të drejtën televizive të këtij grand slam, shikueshmëria pati një rënie me 40% krahasuar me vjet. Një shifër jashtëzakonisht e lartë, çka tregon se mungesa e yjeve të këtij sporti ndikon në shikueshmërinë e këtij sporti.

Sipas Channel 9, në këtë ulje drastike të shikueshmërisë në Australi ndikuan edhe tërheqja e tenistes vendase Ashleigh Barty si dhe mungesa e idhullit vendës, Nick Kyrgios. Gjithsesi, edhe në Europë, ky turne pati një ulje drastike të shikueshmërisë.

Kështu, sipas një raportimi të ESPN, finalja mes Novak Djokovic e Stefanos Tsitsipas u ndoq nga një mesatare prej 439 mijë vetësh. Pra, 36% më pak krahasuar me vitin e kaluar. Kjo mbetet finalja më pak e ndjekur në TV në dekadën e fundit, ndërkohë që shifra të ulta pati edhe finalja e femrave, me një mesatare prej 379 mijë shikuesish.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit