Sllovakia ishte afër eliminimit të Anglisë, një nga favoritët për të triumfuar në “Euro 2024”. Kombëtares së drejtuar nga Francesco Calzona fillimisht iu desh të përballej me roveshiatën e Jude Bellingham, që barazoi rezultatin kur kishim mbetur diçka deri në 3, 4 minuta lojë nga fundi, pastaj pësoi edhe golin e Harry Kane në fillim të kohës shtesë, sa ishte e shokuar që i iku kualifikimi nga duart në “frymën e fundit”. Një ndeshje që ndezi tension të madh në fushë, pas përfundimit të saj.
“Daily Mail” raporton përplasjen pas bilbilit të fundit mes trajnerit Calzona dhe Declan Rice. Trajneri italian hyri në fushë, shkoi tek arbitri dhe i kërkoi disa shpjegime. Mesfushori i Arsenalit dhe Anglisë ndërhyri duke i bërtitur Calzona, trajnerit të Sllovakisë “mbylle gojën”, duke shtuar edhe një “qeros mu*i…” Gjithçka u zgjidh më pas, me ndjesën e mesfushorit të Arsenalit për ish-trajnerin e Napolit. Të dy shtrënguan duart dhe situata u zgjidh me mirëkuptim.
Calzona u shpreh kështu për “Sky Sport”, pas ndeshjes: “Vuajtëm në pjesën e dytë, ishte e parashikueshme në këtë nivel. Jam krenar për ekipin tim, zhvilluam një ndeshje të shkëlqyer. Mendoj se sllovakët janë krenarë për këto futbollistë”.