Tensioni është rritur sërish, dyshimet janë rikthyer në qendër të mendimeve të Luciano Spallettit. Cili formacion duhet të startojë ndaj Zvicrës? Si të përballet me një ndeshje më të vështirë nga sa thotë historia? Axurrët nuk kanë humbur kundër Zvicrës që nga viti 1993, por helvetët e penguan Italinë të merrtë pjesë në Botërorin e fundit, në Katar.
Axurrët e mundën Zvicrën qartësisht tri vite më parë, në fillim të rrugëtimit që kulmoi me triumfin në “Wembley”, por shumë gjëra kanë ndryshuar që atëherë. Për të dyja kombëtaret. Nesër do të jetë një histori tjetër, veçanërisht sepse Italia deri më tani ka performuar nën pritshmëritë e saj, ndërsa Zvicra ‘rrezikoi’ ta linte pas vetes Gjermaninë në një grup të luajtur mirë.
Të mërkurën, stadiumi “Hemberg” u bë sërish i paarritshëm për të gjithë: për tifozët, për kureshtarët dhe gazetarët. Larg syve kureshtarë, Italia testoi skema dhe emra për ndeshjen në Berlin kundër të besuarve të Murat Yakin. Synimi është të konfirmohet mbrojtja me tre lojtarë.
Duhet konfirmuar forma që karakterizoi miqësoret e marsit, e cila u përsërit kundër Bosnjës dhe më pas u rishikua të hënën, kundër Kroacisë. Nuk do të jetë një ndeshje e thjeshtë, Italia duhet të bëjë pa Riccardo Calafiori, ndoshta lojtari më i mirë axurr në këtë Europian, pas të paarritshmit Gianluigi Donnarumma.
Mbi të gjitha do të jetë një sfidë në të cilën lojtarët më të mirë të kësaj kombëtareje do të duhet të kthehen te vendosmëria. Emrat përmenden shpejt: Barella, Chiesa dhe Scamacca. Pikërisht prej tyre, Luciano Spalletti pret më shumë. Janë lojtarët nga të cilët të gjithë presin më shumë, sepse kanë mjetet teknike për ta bërë këtë. Rreziku, nëse axurrët nuk ia dalin, është ai i fundosjes nën goditjet e një Zvicre kompakte dhe intensive.
Deri në nëntor, Murat Yakin nuk ishte i pëlqyer nga gjysma e dhomës së zhveshjes. Pra, nuk përjashtohej mundësia e zëvendësimit të tij. Më pas erdhi përballja me Granit Xhakën, kapitenin, simbolin dhe liderin e Zvicrës. Ai i tha trajnerit: Duhet të kalojmë në një mbrojtje me tre lojtarë. Dhe kështu ndodhi.
Zvicra nuk ka humbur kurrë në vitin 2024, duke mbledhur 3 fitore dhe 4 barazime. Këto janë shifra për të mos u nënvlerësuar, është një ndeshje më e vështirë për italianët se sa tregon historia. Mbi të gjitha do të jetë ndeshja që do të përcaktojë gjykimin për rrugën e axurrëve: me kualifikimin në çerekfinale, ku me siguri e pret Anglia.
Nëse nesër gjërat do të shkonin keq, gjykimi pas kalimit të grupit nga goli në minutën e 98-të ndaj Kroacisë do të ishte fuqishëm negativ. Spalletti e di mirë këtë. Së shpejti do të kuptojmë se në cilën anë do të anojë peshorja.