Tetori rozë: FSHF organizon turne futbolli me stafin dhe gazetaret vajza, sensibilizim për kancerin e gjirit

22 Tetor 2024
17:45
Telesport
back button

Jemi në tetor, muaji sensibilizues kundër kancerit të gjirit. Me këtë rast, Federata Shqiptare e Futbollit organizoi sot në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” një turne të veçantë me pjesëmarrjen e vajzave të UN Women, gazetareve të sportit dhe jo vetëm, si dhe vajzat e stafit të administratës së FSHF-së.

Në këtë aktivitet vajzat të ndara në tre ekipe luajtën futboll dhe përçuan të gjitha së bashku mesazhin e ndërgjegjësimit në luftën kundër kancerit të gjirit.

Anëtarja e KE-së, Anila Basha, përshëndeti eventin dhe vlerësoi nismën e ndërrmarrë nga FSHF për fushatën ndërgjegjësuese gjatë muajit tetor.

“Federata Shqiptare e Futbollit ka organizuar për herë të parë këtë mini-turne. Zëri juaj do të përçohet më tej. Ju falenderoj thellësisht nga zemra që jeni këtu” – u shpreh znj. Basha.

Michele Ribotta, Përfaqësuesi i UN Women në Shqipëri mbajti një fjalë falënderuese, ku vlerësoi nismën e FSHF-së si një formë shumë e mirë për të nxitur ndërgjegjësimin publik në muajin e parandalimit të kancerit.

“Doja të falenderoja të gjithë, Federatën dhe të gjitha skuadrat. Jam shumë i lumtur që jemi duke ndërmarrë këtë nismë si pjesë e një bashkëpunimi tripalësh me anëtarët e Federatës dhe me anëtarët e medias. Mendoj se kjo është absolutisht një mënyrë e mrekullueshme për të shënjuar dhe për të nxitur ndërgjegjësimin publik në muajin e parandalimit të kancerit, duke siguruar që të gjitha gratë të kryejnë kontrollin.

Ne si Kombet e Bashkuara dhe si UN Women promovojnë shumë pjesëmarrjen e grave në sport. Jam shumë i lumtur që ju keni ndërmarrë këtë nisëm dhe që ne patëm mundësi t’iu bashkoheshim dhe mezi pres të brohorasim për një ndeshje të mrekullueshme” – tha në fjalën e tij Michele Ribotta.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit