Thiago Motta e do te Juventusi, bardhezinjtë hartojnë planin për të siguruar belgun e Milanit

26 Qershor 2024
18:43
Alfred Lleshi
back button

Përforcime në çdo repart. Juventusi nuk ka ndërmend të mbërrijë i papërgatitur në sesionin e kësaj vere të merkatos, që do të nisë zyrtarisht javën e ardhshme. Giuntoli dhe ekipi i tij kanë disa emra në listë për të kënaqur trajnerin Thiago Motta, në funksion të një sezoni që do t’i shohë bardhezinjtë mes protagonistëve në Itali dhe më gjerë.

Vendi i tretë dhe Kupa e Italisë e fituar sezonin e kaluar janë një arritje e mirë, por tashmë objektivi do të jetë rikthimi në luftën për titull në Serie A. Përveç mbrojtjes dhe mesfushës, klubi bardhezi po mendon edhe përforcimin e krahut.

Emri më i lakuar, raporton edicioni i sotëm i “Tuttosport”, do të ishte ai i Alexis Saelemaekers, i drejtuar nga Motta sezonin e kaluar në Bologna. Ai duhet të jetë profili ideal, pasi di të mbulojë krahun, duke ecur mirë si në fazën sulmuese, ashtu edhe në atë mbrojtëse.

Mes protagonistëve të sezonit të Bologna, që kulmoi me kualifikimin në Champions League, me 4 gola në 30 paraqitje, Saelemaekers u rikthye te Milani, pronar i kartonit të tij. Klubi kuqezi e vlerëson lojtarin më shumë se 10 milionë euro. Formula që mund të propozohet nga Juventusi do të ishte ajo e huazimit me të drejtë ose detyrim blerjeje të belgut, me një çmim tashmë të përcaktuar.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit