Thiago Motta në emergjencë totale, konfirmon 7 mungesa ndaj Lazios: Na duhet paraqitje e shkëlqyer

18 Tetor 2024
13:40
Alfred Lleshi
back button

Nuk ishte pushimi që priste Thiago Motta. Në ‘Continassa’, lista e lojtarëve të lënduar të Juventusit po bëhet gjithnjë e më e gjatë. I fundit në dyshim është Fagioli, i cili u rikthye jo mirë nga eksperienca e tij me kombëtaren e trajnerit Spalletti.

McKennie vazhdon në ‘infermieri’ për shkak të disa problemeve muskulare, të pësuara me kombëtaren amerikane. Koopmeiners ka thyerje të brinjës, ndaj do të duhet të presim të paktën ndeshjen e së martës në Champions League kundër Shtutgartit, nëse jo edhe derbin italian në kampionati kundër Interit, të planifikuar për të dielën e 27 tetorit në ‘San Siro’, për ta parë sërish në fushë.

Në listën e gjatë të mungesave, pa marrë parasysh ‘pacientët’ afatgjatë Bremer dhe Milik, do të shihen edhe dy lojtarë që luajnë të njëjtin rol: Conceiçao për shkak të pezullimit, dhe Nico Gonzalez për shkak të dëmtimit. Të dy nuk do të jenë gati për sfidën kundër Lazios.

Ndeshja ndaj Lazios është një përplasje direkte, a do të ketë më shumë rëndësi rezultati?
Kundër Lazios dua të shoh performancën, sepse është ajo që të jep rezultatin. Dua ta shoh skuadrën time të luajë mirë, të mbrohet mirë dhe të shkojë përpara. Duhen shumë gjëra për të luajtur mirë. Unë besoj verbërisht se skuadra që luan mirë ka më shumë shanse për të fituar. Lojtarët e padisponueshëm? Nuk do të kemi Bremer, Milik, McKennie, Koopmeiners, Gonzalez, Weah dhe Fagioli.

Në dritën e mungesave, kujt i përshtatet më së miri roli i Koopmeiners?
Të shohim të shtunën, duhet të gjejmë ekuilibrin e duhur mes fazës mbrojtëse dhe sulmuese.

A folët me Douglas Luiz gjatë ndalesës së kampionatit?
Kam folur shumë pak me të, por në të njëjtën kohë kam parë një qëndrim të shkëlqyer të tij. Ai po bën vërtet mirë. Për lojtarë të fortë si ai, në këto momente vështirësie duhet reagim dhe e pashë. Ai nuk ndalet, vazhdon të stërvitet në mënyrën e duhur. Kur e shoh kështu ndihem i qetë, rruga është e duhura. Do ta shohim nëse do të luajë nga fillimi ndaj Lazios, por jam i kënaqur me atë që kam parë në këto dy javë.

Vlahovic, i vetmi qendërsulmues në të gjitha ndeshjet e ardhshme?
Do të doja që ai të ishte 100% në çdo ndeshje. Mendoj për Lazion, ndaj së cilës do të luajë patjetër. Për ndeshjet e ardhshme do të shohim ditë pas dite.

A ju trembin ndeshjet e shumta?
Ka shumë ndeshje, por ne e dinim që në fillim këtë gjë. Sot nuk ka pse të ankohemi, do të shprehim një mendim në kohën e duhur. Tani do të ishte e kotë, duhet t’i bëjmë gjërat mirë.

Cilat janë rreziqet e kësaj ndeshjeje?
Do të përballemi me një skuadër të mirë, që po bën mirë, me një trajner me shumë eksperiencë, që e admiroj shumë. Të gjithë jemi gati të bëjmë një paraqitje të shkëlqyer.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit