Thiago Silva: Te PSG erdha për Champions-in, pas 8 vitesh jam fare pranë

19 Gusht 2020
10:49
Alfred Lleshi
back button

Mbrojtësi i PSG, Thiago Silva, ka paralajmëruar ekipin e tij të qëndrojë i përqendruar, pasi arriti në finalen e Ligës së Kampionëve, falë fitores 3-0 ndaj RB Leipzig, të martën. Kjo është hera e parë në histori, që parizienët do të luajnë një finale të kompeticionit, ndërsa iu afruan këtij “stacioni” 25 vite më parë, kur u eleminuan nga Milani në gjysmëfinale.

Silva, i cili do të largohet nga PSG në fund të sezonit, pas më shumë se 300 ndeshjeve në 8 vite, i ka paralajmëruar të tijtë për vetëkënaqësinë. Kampionët e Ligue 1 presin të mësojnë rivalin e finales, njërin mes Bayern Munich dhe Lyon.

“Nuk ishte aspak e lehtë, – tha Silva për “RMC Sport”. – Kemi pasur periudha shumë të vështira, por sonte e merituam të shkonim në finale. Unë jam shumë krenar për skuadrën. Kemi luajtur me pasion dhe entuziasëm. Jemi shumë të fortë në sulm. Çdo ndeshje kemi mundësinë për të shënuar.

Është arritje historike, por jo fundi. Duhet të pushojmë, të rigjenerojmë forcat dhe të bëhemi gati për të dielën. Shpresoj që të gjithë ta shijojmë së bashku titullin. Unë erdha te PSG pikërisht për këtë objektiv. Tani jemi në finale, do të varet nga ne. Do të jetë shumë e komplikuar për Bayernin, sepse Lyon po luan shumë mirë.

Doja ta përfundoja karrierën time te PSG, por nuk ndodhi. Sidoqoftë, jam i qetë në kokën time. Po shijoj momentet e fundit si kuq dhe blu. Këtë sezon kemi rigjetur balancën tonë, jemi më konkurrues. Ekipi që do të fitojë këtë Ligë Kampionesh, të gjithë do ta mbajnë mend”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit