Alessandro Altobelli, ish-sulmuesi i Interit, ka shënuar shumë gola në karrierën e tij (209 për zikaltrit), ndaj e di shumë mirë që të jesh sulmues nuk është një gjë e thjeshtë. Në intervistën e dhënë për “Gazzetta dello Sport”, megjithatë, ai nuk ka asnjë dyshim se cilën dyshe të zgjedhë mes Lautaro-Thuram dhe Lukaku-Kvaratskhelia:
“Unë jam me duetin sulmues të Interit, është një nga më të mirët në Europë. Ata shkojnë mirë, merren vesh për mrekulli. Kanë frymë grupi, asnjëri prej tyre nuk është egoist. E ndiejnë golin, por edhe pozicionin e shokut të skuadrës. Të dy jetojnë për golin, por dinë të jenë bujarë në asistet për shokët”.
A e meriton “Topin e Artë” një sulmues si Lautaro?
Ka lojtarë më të vlerësuar, por Lautaro tani është pjesë e sulmuesve elitarë. Bazuar në atë që ka treguar, nuk do të më çudiste ta shihja para të gjithëve. E kuptoj që këtë vit, ky çmim nuk do t’i shkojë atij, por në të vitet e ardhshme mund ta fitojë patjetër.
A është “ThuLa” një armë shtesë për Inzaghin?
Absolutisht po. Vlera e shtuar e Napolit është Conte, një trajner që sjell më shumë pikë. Interi, nga ana tjetër, mund të llogarisë jo vetëm Inzaghin, i cili është trajner i shkëlqyer, por edhe një skuadër shumë të fortë. Lautaro dhe Thuram janë të parët, pa i nënvlerësuar Taremi dhe Arnautovic, alternativa të nivelit të lartë.