Thuram: Gjithçka po shkon shumë mirë tek Interi, dua të fitoj një titull tjetër

18 Dhjetor 2024
12:53
Alfred Lleshi
back button

Marcus Thuram, sulmuesi i Interit dhe i kombëtares së Francës, ka dhënë një intervistë për TF1, duke bërë një përmbledhje të vitit 2024, por duke nisur nga ndeshja e zhvilluar në “San Siro” me ekipin kombëtar: “Ishte e mrekullueshme, e shijova çdo moment; nga himni kombëtar, te dalja ime nga fusha deri në bilbilin e fundit. Ishte një përvojë fantastike”.

A të kanë prekur kritikat për paraqitjet e tua me Francën?
Jo, sepse janë pjesë e sportit tonë. Që kur jemi bërë profesionistë, dëgjojmë kritika, por mendoj se një futbollist i nivelit të lartë duhet t’i kalojë. Secili mund të mendojë çfarë të dojë, por gjëja më e rëndësishme është të japësh maksimumin në çdo ndeshje.

Cili është roli yt brenda grupit?
Roli që gjithmonë kam pasur. Mundohem të jap gjithmonë maksimumin për fanellën, të ndihmoj shokët e skuadrës dhe të sjell humor të mirë. Bëj gjithçka që grupi të jetë mirë dhe të fitojë.

A ju rëndon fakti që nuk shënoni shpesh me kombëtaren?
Sinqerisht, nuk e mendoj fare. Kur luaj me kombëtaren, nuk jam i fiksuar me golat. Mundohem të luaj mirë, pastaj mund të shënoj ose jo. Preferoj më tepër të luaj mirë pa shënuar, sesa të shënoj dhe të kem një ndeshje të keqe.

Si e përjetoni konkurrencën me Randal Kolo Muani?
Mirë, Randal është një mik i imi. E njoh që para kombëtares, jemi shumë të afërt dhe flasim çdo ditë. Është një konkurrencë shumë e shëndetshme.

A ju mungon Kylian Mbappé?
Po, Kylian është shumë i rëndësishëm për grupin. Nuk ishte as Ousmane Dembélé, kështu që ishte një grumbullim paksa i çuditshëm ky i fundit. Në tavolinë ishim më pak të hareshëm, por shpresojmë që të kthehen shpejt. Nëse kam ndonjë lajm për të? Po, është mirë dhe ndodhet në klubin më të mirë në botë.

Si e vlerëson fillimin e sezonit me Interin?
Gjithçka po shkon shumë mirë, kam shënuar mjaft gola. Megjithatë, ende nuk jemi në nivelin që duam, siç ishim në këtë pikë të sezonit të kaluar. Me punë dhe duke luajtur ndeshjet, mendoj se do të rikthehemi në formën tonë më të mirë.

Pse mendoni që nuk ngjallni të njëjtin “eksitim” te tifozët francezë si tek ata të Interit?
Ndoshta tifozët francezë duhet të flasin italisht (qesh)…

A ka më pak presion në Itali sesa me kombëtaren?
Jo, qoftë me fanellën e Interit, të Francës apo të Borussia Moenchengladbach, nuk e kam ndjerë kurrë presionin. Pra, ndoshta duhet që ata të flasin italisht (qesh).

Çfarë kërkon Didier Deschamps nga ju?
Asgjë specifike, më njeh prej 27 vitesh… Ndonjëherë mund të duket sikur më vë shumë nën presion, por e bën për të mirën time. Kështu ka qenë qysh nga thirrja ime e parë në kombëtare dhe vazhdon ende. Më shtyn shumë dhe kështu është më mirë.

A ju thotë që të jeni më i pranishëm dhe të keni më shumë besim?
Jo, nuk thotë gjëra të tilla. Më inkurajon siç bën me të gjithë të tjerët.

Jeni shumë i rezervuar në jetën private, është e qëllimshme?
Po, pastaj mendoj se flas kur është e nevojshme. Ka njerëz që flasin shumë shpesh, por unë preferoj të flas në telefon me miqtë e mi. Kur flas me mediat, është sepse ka ndodhur diçka e rëndësishme ose serioze. Të flasësh thjesht për të folur, nuk është stili im; preferoj të flas në fushë.

Cilat janë objektivat tuaja për vitin 2025?
Shpresoj të fitoj përsëri kampionatin me Interin. Është diçka që mbetet përherë dhe dua ta përjetoj atë ndjenjë përsëri.

A mendoni për Botërorin 2026?
Jo, do të shihemi në mars me kombëtaren, por jo për Botërorin. Duhet të ecim hap pas hapi, sepse me gjithë ndeshjet që na presin, nëse mendojmë për 2026, nuk do të arrijmë dot atje.

A ju rëndojnë ndeshjet e shumta?
Sigurisht që rëndojnë, në mendje, moral dhe në këmbë. Jemi profesionistë dhe përpiqemi të japim maksimumin, edhe pse është e pamundur të qëndrojmë indiferentë ndaj faktit që ka shumë ndeshje.

Si e menaxhoni këtë situatë?
Unë fle shumë…

Lajme të tjera

Lajmet e fundit