Thuram, një hap larg rekordit të vet. Lautaro mbetet “thatë”, goli e fut në ngërç psikologjik

24 Dhjetor 2024
8:22
Alfred Lleshi
back button

I sheh në fushë dhe e kupton se gjithçka është çështje momentesh. Marcus Thuram merr topin, kontrollon, përplaset, driblon dhe kërkon lëvizje të cilat, ndonëse të vështira, duken të realizueshme për të. Nga ana tjetër, Lautaro Martinez shikon portën dhe jo shokët që ka pranë. Rezultati? I pari shënon, i dyti jo. Për pasojë lind dyshimi: a është mendja, ajo që bën gjithë diferencën?

Fitorja e Interit kundër Comos ka, sërish, firmën e sulmuesit francez dhe jo të kolegut të tij argjentinas. Një situatë që po përsëritet shpesh kohët e fundit. Në fakt, Thuram është vetëm një gol larg rekordit të tij personal, jo vetëm në Serie A, por në përgjithësi: 12 gola këtë sezon, ndërsa sezonin e kaluar shënoi 13. Mos harroni se këtë sezon ka ende gjysmën e dytë të kampionatit për ta luajtur.

Nga ana tjetër, Lautaro nuk ka shënuar në 8 ndeshjet e fundit dhe kjo ndihet. Kundër Lazios, në të vërtetë, pati shkëndija të “Toros” së vërtetë, të atij që goli i vjen pothuajse natyrshëm, që ndihmon shokët e ekipit, që përpiqet, që krijon raste. Mbeti “thatë” edhe mbrëmë, ndoshta sepse ishte ndeshja e fundit në shtëpi për një vit 2024 paradoksal, në të cilin ishte golashënuesi më i mirë i “Copa América”, por në përgjithësi ka shënuar shumë pak. Kundër Comos u kthye tek ajo formë që nuk premton: këmbëngul dhe nuk shënon.

Është thjesht një moment “jo” për të, tha trajneri Inzaghi, që i njeh mirë sulmuesit dhe artin e golave. Dhe duket se është vërtet kështu; një çështje mendjeje. Megjithatë, është një moment që për Lautaron ka ardhur pas një vere të pazakontë, pa përgatitje të mirëfilltë. Pa pretenduar të dimë më shumë se ata, mjeshtrat e golave, ndoshta pushimi dimëror për të marrë frymë mund ta ndihmojë edhe atë, gjithashtu.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit