Marcus Thuram nuk i vendos kufij vetes. Pavarësisht se ka shënuar tashmë 8 gola këtë sezon me Interin, mendon për mënyrat se si mund të përmirësohet akoma më shumë. “Mund të bëhem edhe më shumë një numër 9, edhe më shumë sulmues qendror, – tha ai për “GQ”. – Po punoj për këtë, si në fushë, ashtu edhe mendërisht. Duhet të mësoj të luaj më pak për t’i pëlqyer vetes, por të jem një vrasës i vërtetë para portës kundërshtare”.
Francezi foli për aftësitë e tij futbollistike, duke u ndalur tek ajo që e bën unik: “Është fizikaliteti im. Ka lojtarë shumë të shpejtë, por jo shumë të fuqishëm fizikisht. Ka të tjerë që janë të fuqishëm fizikisht, por jo aq të shpejtë. Unë i kam të dyja këto cilësi dhe e di që mbrojtësit i tremb kjo gjë”.
Përmirësimi i vazhdueshëm është “mantra” e tij: “Nuk kam bërë ende asgjë. Mendoj se duhet të stërvitem shumë, por kjo nuk është aspak problem. E vërteta është që unë e dua futbollin. Jam i lumtur kur zgjohem në mëngjes për të shkuar në ‘Appiano Gentile’, jam i lumtur kur futem në një stadium të madh. Po merrem me gjënë që e dua më shumë në botë, pikërisht kjo bën edhe diferencën”.