“T’i marrim gjërat ngadalë”, Sylvinho para Kroacisë: Duhet të jemi të gëzuar që jemi këtu

18 Qershor 2024
17:41
Denis Hakanaj
back button

Trajneri i Shqipërisë, Sylvinho, ka folur në emisionin e televizionit Klan, Eurozone, në prag të ndeshjes së dytë të Euro 2024, atë kundër Kroacisë.

– A mund të marrim rezultat me Kroacinë?

“T’i marrim gjërat ngadalë. Është një gëzim që jemi këtu. Kemi bërë një rrugëtim fantastik për të ardhur deri këtu. Sigurisht, jemi në një grup shumë të vështirë. Me Italinë kemi qenë në garë deri në fund. Përveç 15 minutave të para, kemi luajtur shumë mirë.

“Ne duhet të mësojmë dhe të përmirësohemi. Në 90 minuta mund të ndodhë gjithçka. Jam i gëzuar që kemi lojtarë të organizuar dhe të rinj. Nuk është e lehtë të mendosh tani se kemi një ndeshje dhe duhet ta fitojmë”.

– Sa ndryshon Kroacia nga Italia?

“Kroacia dhe Italia janë dy kombëtare të forta. Italia shumë teknike, ndërsa Kroacia ka lojtarë shumë të fortë që luajnë me Realin dhe Cityn.

“Kanë një nivel të lartë teknik. Nuk duhet të harrojmë se këto skuadra nuk janë këtu thjesht për të kaluar grupin, por për të fituar Europianin. Futbolli është magjik, në 90 minuta mund të ndodhë gjithçka.

“Do të kemi përballë një skuadër që pak kohë më parë ka qenë finaliste e Nations League dhe e Kupës së Botës. Edhe me Italinë kishim shanset tona”.

– A do të ketë ndryshime në formacion?

“Kemi akoma edhe një seancë stërvitore dhe mund të ketë ndryshime. Koha në dispozicion për ndeshjen e dytë është më e pakët.

– A duhet të luajë Hysaj?

“Ai është një lojtar me eksperiencë me 10 vite në Serinë A dhe me shumë ndeshje në Kombëtare. Këto gjëra nuk e ndikojnë, është një lojtar i mësuar me presionin”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit