Tjetër garë e mirë për Lara Colturi, renditet e 13-ta në sllallomin gjigand në Sllovaki

20 Janar 2024
20:13
Telesport
back button

Garat e Kupës së Botës për femra në ski u spostuan sot në pistën e Jasna, në Sllovaki. Skiatorja shqiptare Lara Colturi ishte sërish protagoniste, këtë herë në garën e sllallomit gjigand, ku u klasifikua në vendin e 13-të.

Një tjetër garë e mirë për skiatoren 17-vjeçare (italiane, por me nënshtetësi shqiptare), që këtë sezon po hyn sistematikisht në “top-20” më të mirat thuajse në çdo garë.

Pas zbritjes së parë, Colturi dha kohën 1’13”83, ndërsa pas zbritjes së dytë dha kohën 1’10”42. Në total, pas dy zbritjeve, lara Colturi dha kohën e përgjithshme 2’24”25, duke u renditur në vendin e 13-të.

Edhe në këtë garë, skiatorja shqitare la gjurmë me paraqitjen e saj, duke konfirmuar se garat e sllallomit janë specialiteti i saj. Ky është sezoni i dytë për Lara Colturi në garat e Kupës së Botës, por këtë vit ka grumbulluar shumë më tepër pikë.

Në total, Colturi ka grumbulluar 127 pikë në garat e Kupës së Botës dhe renditet në vendin e 38-të në botë. Pikët e saj janë grumbulluar në garat e sllallomit (70) dhe sllallomit gjigant (57).

Lajme të tjera

Lajmet e fundit