Tjetër komunikim kompromentues i Pique me Rubiales: Ndryshoje datën e ndeshjes së kombëtares për mua…

1 Korrik 2022
14:23
Alfred Lleshi
back button

Në kuadër të episodeve të reja që ‘El Confidencial’ zbulon dita-ditës, Gerard Pique shfaqet sërish si protagonist i bisedave me presidentin e Federatës Mbretërore të Futbollit Spanjoll, Luis Rubiales.

Në këtë rast, qendërmbrojtësi i kërkon atij që të përpiqet të ndryshojë datën e një ndeshjeje zyrtare të kombëtares spanjolle dhe të mos përkojë me ditën e hapjes së Kupës Davis në Madrid, organizuar nga kompania e tij.

“Rubi, ne duhet të flasim për një temë që është shumë e rëndësishme për mua dhe ju duhet të ma bëni këtë nder sido që të jetë. Ju po planifikoni një ndeshje të kombëtares për të hënën, më 18 nëntor. Të hënën, më 18 nëntor, fillon Kupa Davis në Madrid.

Sigurisht nëse në të njëjtën ditë luhet edhe ndeshja Spanjë-Rumani në ‘Wanda Metropolitano’, ne të dy e kemi kanibalizuar njëri-tjetrin. Nuk e di cili është kalendari i mëpastajshëm, nuk e di a mund të zhvendoset për të dielën, çka do të ishte perfekte.

Nuk e di nëse luani të premten apo të enjten… Le të shohim çështjen e kalendarit, por e di që ende nuk keni filluar të shisni biletat dhe se do të ishte e mundur ta lëviznit datën. Pastaj, le të shohim”.

Rubiales iu përgjigj: “Ok, do ta shikoj nëse është e mundur. Nuk e di nëse është e mundur, por nëse mundet do të përpiqemi”.

Në fakt nuk pati asnjë ndryshim të ditës së ndeshjes në fund. Kjo për shkak se ndeshja me Spanjën duhej të luhej në një orar të unifikuar me ndeshjet e tjera.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit